Këshilli i mbrojtjes i Iranit ka kërcënuar se do të vendosë mina detare për të bllokuar të gjithë Gjirin nëse brigjet ose ishujt e tij sulmohen, sipas agjencisë së lajmeve Fars News Agency.
“Çdo përpjekje e armikut për të sulmuar brigjet ose ishujt iranianë do të shkaktojë natyrshëm, dhe në përputhje me praktikat e zakonshme ushtarake, që të gjitha rrugët e hyrjes dhe linjat e komunikimit në Gjirin Persik dhe përgjatë brigjeve të minohen me lloje të ndryshme minash detare, përfshirë mina lundruese që mund të lëshohen nga brigjet”, thuhet në deklaratë.
“Në atë rast, i gjithë Gjiri Persik do të gjendet praktikisht në një situatë të ngjashme me Ngushticën e Hormuzit për një kohë të gjatë. Këtë herë, së bashku me ngushticën e Hormuzit, i gjithë Gjiri Persik do të jetë praktikisht i bllokuar dhe përgjegjësia për këtë do t’i takojë palës kërcënuese”, thuhet më tej në deklaratë.
Irani u ka lejuar disa vendeve mike, përfshirë Kinën, Indinë dhe Pakistanin, të sigurojnë kalim të sigurt të anijeve të tyre nëpër ngushticë, por për të tjerët e ka mbyllur efektivisht duke sulmuar anije dhe duke vendosur, sipas raportimeve, mina në rrugën ujore, duke shkaktuar një krizë të madhe në tregjet globale të energjisë.
Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë plane për të pushtuar ose bllokuar ishullin strategjik Ishulli Kharg për të ushtruar presion ndaj Teheranit zyrtar që të rihapë këtë rrugë jetike, gjë që do të përbënte një përshkallëzim të madh në luftën SHBA-Izrael.
Siç është raportuar, presidenti amerikan Donald Trump, i cili po përballet me presion të brendshëm ndërsa çmimet e naftës rriten, paralajmëroi vonë të shtunën se SHBA-ja do të “shkatërrojë plotësisht” centralet energjetike iraniane nëse ngushtica nuk hapet para një afati prej 48 orësh./koha.net