Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Anësori i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ka folur me pasion dhe vendosmëri para sfidës vendimtare kundër Polonisë, ndeshje kjo që do të përcaktojë fatin e kuqezinjve për kualifikimin në Kupën e Botës 2026.
Ai ka pranuar se sfida është e vështirë, por thekson se ekipi ka mundësi reale të shkojë deri në fund dhe të realizojë ëndrrën e një brezi të tërë shqiptarësh.
“Është e vërtetë që nuk kam pasur shumë minutazh me klubin, por kur vjen në Kombëtare gjithçka ndryshon. Është një ndjesi tjetër, një përgjegjësi e madhe, dhe për këtë do jap maksimumin në çdo moment që do të jem në fushë”, tha Hysaj, duke treguar gjithashtu për mentalitetin e skuadrës: “Të gjithë jemi të gatshëm të japim gjithçka për Kombëtaren, nuk ka vend për egoizëm; secili që hyn, përpiqet të japë maksimumin dhe të mbështesë shokët kur nuk është në lojë”.
Hysaj vuri në dukje sfidat që sjell mungesa e disa lojtarëve kyç, si Rei Manaj dhe Mirlind Daku, të cilët ndihmojnë ekipin të krijojë raste dhe të finalizojë.
“Kur mungojnë disa, kjo është një mundësi për të tjerët që të tregojnë se e meritojnë vendin në Kombëtare. Respekt për të gjithë ata që do vijnë dhe për ata që mungojnë”.
Ai theksoi rëndësinë e historisë së lojës dhe ëndrrën personale: “Kur isha i vogël, ëndërroja të luaja në Evropianë dhe Botërorë. Tani kemi mundësinë reale të arrijmë play-off-in dhe të luftojmë për të kaluar Poloninë. Është një ndeshje teke, e vështirë, por ne shkojmë për fitore. Nëse do të luanim në shtëpi, do të ishte më e lehtë, por çdo ndeshje është një test i vërtetë për karakterin tonë”.
Hysaj gjithashtu tregoi mentalitetin që duhet të mbajnë lojtarët pas një suksesi të mundshëm: “Nëse kalojmë Poloninë, nuk ka kohë për gëzim të tepërt, sepse ndeshja tjetër e jetës na pret. Do të japim gjithçka me zemër, siç kemi bërë gjithmonë, për të bërë krenar sa më shumë shqiptarë”.
Përveç motivimit, Hysaj ofron edhe një mesazh për besimin dhe unitetin e skuadrës: “Kjo është një mundësi që kemi tani. Duhet të jemi të bashkuar, të vendosur dhe të mos lejojmë frikën të na ndalojë. Çdo ndeshje play-off është një test i madh, dhe ne jemi të gatshëm ta kalojmë këtë test me krenari dhe zemër”.
Me fjalët e tij të sinqerta dhe vendosmërinë e treguar, Elseid Hysaj ka ngjallur shpresë dhe optimizëm te tifozët kuqezinj para një ndeshjeje vendimtare që mund të shënojë një moment historik për Shqipërinë në futbollin ndërkombëtar. /Albanianpost.com