Me cilat sporte të reja do të paraqitet Kosova në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”?
Në një Botëror ku vëmendja është e përqendruar te yjet e fushës, FIFA gjeti kohë të nderojë edhe një legjendë të tribunës së shtypit. Bëhet fjalë për Hartmut Scherzer, gazetarin gjerman 88-vjeçar, i cili në Botërorin 2026 shënoi një rekord të jashtëzakonshëm; 17 Kupa Bote të ndjekura radhazi. Ai ka qenë i pranishëm në çdo edicion të turneut që nga “Kili 1962”, pa munguar asnjëherë për më shumë se gjashtë dekada.
Për këtë arritje të rrallë, Departamenti i Marrëdhënieve me Median i FIFA-s i dhuroi një mini-trofe të Kupës së Botës, pak para ndeshjes Gjermani–Ekuador në stadiumin “MetLife”, si shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në gazetarinë sportive.
Scherzer i ka përjetuar nga afër pothuajse të gjitha epokat e futbollit modern. Ai ka raportuar për triumfet e Peles, magjinë e Diego Maradonës, elegancën e Franz Beckenbauer, dominimin e Ronaldos brazilian dhe epokën e Lionel Messit, duke qenë dëshmitar i momenteve që kanë shkruar historinë e futbollit botëror.
Në një intervistë të mëparshme për “ABC Sport”, veterani gjerman kishte rrëfyer se kur nisi karrierën, gazetarët hynin lirshëm në dhomat e zhveshjes për të biseduar me futbollistët, ndërsa sot gjithçka ka ndryshuar me zhvillimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale. Megjithatë, pasioni i tij për futbollin ka mbetur i pandryshuar.
Në një kohë kur rekordet zakonisht i vendosin futbollistët, Hartmut Scherzer dëshmoi se edhe gazetaria sportive ka legjendat e saj. Pas 17 Botërorëve, ai mbetet një simbol i përkushtimit, profesionalizmit dhe dashurisë së pakushtëzuar për lojën më të bukur në botë. /Telesport.al/

