Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka përfunduar dëshminë e tij ish-diplomati amerikan Christopher Hill, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Hill tha se ishte një përvojë e veçantë pjesëmarrja e tij në këtë proces gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ishte një përvojë e veçantë doja të them”, tha Hill.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i tha dëshmitarit se shpreson që kjo të mos jetë një përvojë e keqe.
“Shpresoj të mos ketë qenë një përvojë e keqe”, tha Smith III.
Ndërsa, Hill ia ktheu duke i thënë se “Kam pasur përvoja edhe më të këqija”.
Gjatë fundit të dëshmisë, për dëshmitarin pati disa pyetje edhe avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon. Për klientin e Dixon, dëshmitari tha se nuk e ka parë dhe nuk e di se ku ka qëndruar.
Seanca pritet të vazhdojë pas pushimit me dëshminë e dëshmitarit të radhës.
Hill për Thaçin: Kisha përshtypje se ai ishte i besueshëm, por jo vendimmarrës
Dëshmitari Christopher Hill tha për Hashim Thaçin se kishte përshtypjen se ai ishte një njeri i besueshëm si bashkëbisedues, por nuk ishte vendimmarrës.
Sipas Hill, atij i besohej që të parashtronte argumentet e UÇK-së, por nuk i ishte besuar vendimmarrja, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk i ishte lënë në dorë vendimmarrja. Ky është versioni im”, tha Hill.
Përpara kësaj, dëshmitari u pyet se a e dinte se çfarë roli kishte Hashim Thaçi para marsit të 1998-ës. Ai tha se e dinte që ishte një student i cili studionte jashtë Kosovës.
“Nuk e di të ketë pasur ndonjë rol. Nuk di asgjë. Ajo se çfarë di unë është se ai ka qenë student diku në Evropën Perëndimore dhe është kthyer në Kosovë prej këtyre studimeve”, tha Hill.
Ai rikonfirmoi se nuk e di nëse Thaçi ishte ndonjëri prej themeluesve të UÇK-së.
Dëshmitari u pyet se si e shpjegon që Thaçi të merrte një rol kaq të madh brenda UÇK-së e më pas në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës duke qenë në atë moshë dhe student.
“Nuk kam shpjegim. Kam mendime që mund të jenë konfliktuale me njëra-tjetrën dhe njëra prej tyre është se mbase nuk mund të ishte i fuqishëm sa shikohet nga jashtë sepse në fund të fundit çdo vendim që merrte ai vinte si rezultat i shumë konsultimeve të tjera pararendëse. Kështu që përshtypja ime është që ai ishte një bashkëbisedues i besueshëm por nuk ishte vendimmarrës”, tha Hill.
Dëshmitari Hill tha se kjo bënte kuptim kur edhe Thaçi i tha qënë rast që binte dakord në Rambuje për diçka pa u konsultuar, kur të kthehej do vritej.
“Kjo përshtypje bënte kuptim kur ai tha se nuk mund të pajtohej me atë se çfarë ishte bërë në Rambuje edhe që na tha se nëse binim dakord pa u konsultuar, kur të kthehej do ta vrisnin”, tha ai.
Ndryshe, me kaq përfunduan pyetjet nga ana e gjyqtarëve për këtë dëshmitar. Ndërsa, me pyetje shtesë filloi sërish mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.
Hill: Nëse shikohet historiku i Thaçit, ai s’mund të lëvizte gjërat brenda UÇK-së, udhëheqësi politik s’merret me çështje të brendshme
Dëshmitari Christopher Hill duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor ka thënë se nëse shikohet historiku i formimit të Hashim Thaçit, nuk ka asgjë që sugjeron se ai mund të lëvizte gjërat brenda për brenda UÇK-së.
Sipas Hill, në pikëpamjen e jashtme, Thaçi e kuptonte se si funksiononte bota dhe sa e rëndësishme ishte që SHBA-të të ishin në anën e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Përshtypja ime është që nëse do shikoni historikun e Thaçit se çfarë formimi ka ai nuk ka asgjë që ai mund të lëvizte gjërat brenda për brenda UÇK-së por në pikëpamjen e jashtme ai e kuptonte se si funksiononte bota dhe e kuptonte se sa e rëndësishme ishte që SHBA-të të ishin në anën e tyre”, tha Hill.
I pyetur se a pajtohet se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare e armatosur, Hill e pohoi por tha se shtrohet pyetja se sa e integruar ishte UÇK-ja.
“Po, por pyetja që shtrohet është se sa e integruar ishte UÇK-ja krahasimisht me grupe të tjera të ndryshme që lidheshin vetëm… me të por vepronin sipas kokës së tyre dhe urdhrave të tyre”, tha Hill.
Duke qenë fjala për një lëvizje të armatosur, Hill u pyet se cila është ndasia në mes një lideri politik dhe një udhëheqësi ushtarak në kuadër të një lëvizje çlirimtare të armatosur.
“Udhëheqësi politik është një person që luan një rol të ministrit të Punëve të Jashtme dhe nuk është përgjegjës për çështjet e brendshme”, deklaroi ai.
Hill: Burns e ka ekzagjeruar përshkrimin për UÇK-në, ishte më i prirur se ne të besonte se kishte hierarki
Diplomati i pensionuar amerikan Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se Shaun Burns, ish-shefi i misionit diplomatik vëzhgues në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (KDOM), ka ekzagjeruar përshkrimin për UÇK-në.
Sipas dëshmitarit, ai ishte më i prirur që të besonte se kjo organizatë kishte hierarki organizative, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kjo u tha pas përfundimit të pyetjeve nga ana e gjyqtarit Guénawl Mettraux kur pyetjet për këtë dëshmitar i filloi gjyqtari, Christoph Barthe.
Fillimisht, Hill u pyet për dy kabllograme të lëshuara gjatë luftës. Njëri prej këtyre kabllogrameve ishte i Shaun Burns.
Në këtë kabllogram, Burns kishte thënë se “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së përbëhet prej gjashtë zyrave kryesore; Politike, Informacionit, Logjistika, Policia, Drejtësia dhe Operativa”.
Ai tutje kishte thënë se Drejtoria Politike përbëhej nga shtatë persona e që një prej tyre jeton jashtë vendit duke e pasur fjalën për Bardhyl Mahmutin.
Ndërsa, për Thaçin e kishte përdorur termin “Komisar politik i Drenicës”, e që duket të jetë kreu i Drejtorisë Politike.
Përveç kësaj, ai kishte thënë se “Drejtoria Politike mund të jetë edhe një sinonim për udhëheqjen e UÇK-së”.
Për këtë, Hill tha se Burns ishte më i prirur që të besonte se ekzistonte një linjë hierarkie në UÇK.
“Kishte persona që nuk pajtoheshin me shumë gjëra që po ndodhnin atje në terren. Shaun ishte më i prirur se unë që të besonte se ekzistonte një objekt që kishte linjën hierarike të komunikimit që ndryshe njihej si UÇK-ja. Termi “komisar” është term perëndimor”, tha ai.
Sipas Hill, Burns mendonte se ekzistonte një strukturë e mirë-organizuar e UÇK-së.
“Unë nuk ndaja të njëjtin mendim sikur Shauni. Unë mendoj se kjo ishte një orvatje për të përshkruar një organizatë dhe mendoj se e kishte ekzagjeruar përshkrimin e kësaj organizate”, tha Hill.
Hill: Marrëveshja e Rambujesë rrëzoi pikëpamjet e Millosheviqit që shqiptarët s’bëhen bashkë për asgjë
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë nga delegacioni shqipar, sipas Christopher Hill ka rrëzuar pikëpamjet e Sllobodan Millosheviqit.
Sipas Hill, Millosheviqi thoshte vazhdimisht që shqiptarët nuk mund të bëhen bashkë për asgjë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Koncepti i asaj kohe ishte që t’iu jepej mesazh i qartë serbeve, t’iu thuhet se kjo do të ndodhë kështu që ju është mirë që të bëheshit pjesë e procesit. Pra, është mënyra më e mirë që të mbronit interesat e Serbisë dhe të jeni pjesë e këtij procesi. Përderisa, Millosheviq kishte thënë shumë e shumë herë kishte thënë se shqiptarët nuk do të pajtohen dhe nuk bien dakord asnjëherë për asgjë dhe Marrëveshja në fakt e rrëzonte pikëpamjen e tij që shqiptarët nuk do pajtoheshin me asgjë”, tha Hill.
Christopher Hill deklaroi se iu tha Millosheviqit se e kishte gabim se e arritën marrëveshjen dhe është radha e Sebrisë që të bëjë lëvizjen e saj.
“Ai kishte thënë gjatë gjithë kohës që shqiptarët nuk do pajtohen me asgjë dhe për rrjedhojë ne nuk na duhet të pajtohemi me asgjë. Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne, po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim se e arritëm Marrëveshjen por ti do bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, tha Hill.
Dëshmitari u shpreh se nuk i kujtohet se në këtë marrëveshje kanë qenë katër nënshkrime, por e di se tri prej tyre të kujt kanë qenë. Tha se një ka qenë nga ana e UÇK-së, një nga LDK-ja dhe një nga grupi i intelektualëve të pavarur siç e quanin ata vetn.
Remi pretendohet se ka thënë që urdhëroi arrestimin e një personi në mënyrë që Demaçi të bëhej faktor i rëndësishëm pasi Hill s’e takoi
Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, pretendohet se në një intervistë ka thënë se ka urdhëruar arrestimin e një serbi vetëm që Adem Demaçi të bëhej faktor i rëndësishëm pasi Christopher Hill s’e kishte takuar.
I pyetur lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk është në dijeni të lirimit të një serb që ishte roje pylli dhe se në këtë lirim ndërhyri ekipi i Shaun Burns, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa, në një deklaratë që u prezantua në sallën e gjyqit, Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa- Remi kishe thënë se brenda një periudhe të shkurtër u kryen dy arrestime dhe dy lirime.
Sipas kësaj deklarate, Remi kishte thënë se bëhej fjalë për një roje pylli dhe një inspektor dhe se këtë e kishin bërë që të dëshmonin se kishin vërtetë fuqi dhe që ata të kishin kujdes në veprimet ose sulmet që mund të ndërmerrnin ndaj UÇK-së.
Përveç kësaj, Remi kishte thënë se edhe në vendet që nuk kontrollonin në qytet, mund të merrnin kë donin dhe se këtë mesazh dëshironin që të jepnin.
Remi pretendohet se ka thënë që “në momentin kur Christopher Hill ka qenë në Kosovë dhe nuk e ka vizituar përfaqësuesin e zyrës së UÇK-së, Adem Demaçin, ne dëshironim që ta bënim Demaçin një faktor të rëndësishëm. Unë lëshova një urdhër për tre ushtarë që të dilnin dhe të kapnin një inspektor që quhej Zoran Zbiliq”.
Remi kishte thënë se urdhri u krye në mënyrë të suksesshme dhe serbi ishte sjellë në Llapashticë ku edhe u mbajt për tre ditë.
Shaun Burns sipas Remit u fut në këtë mes për ta liruar këtë serb e që për hir të Adem Demaçi ishte liruar.
“Ne, e liruam atë person dhe në përgjegjësi kjo ishte diçka e përgatitur”, citoi gjyqtari Guénaël Mettraux.
Dëshmitari Hill tha se nuk i kujtohet kjo gjë.
Hill shtoi se mendon që e ka takuar Demaçin më shumë se nga çka e meriton ai dhe se Remi nuk ishte përgjegjës për takimet e tij.
“Besoj që unë e kam takuar zotin Demaçi se sa besoj që pretendonte ai ose që e meritonte ai. Remi nuk ishte përgjegjës për takimet e mia ose për punën time”, tha Hill.
Po ashtu, Hill deklaroi se nuk e di arsyen se pse Remi e ka marrë këtë veprim.
“Nuk jam shumë i sigurt se pse zotin Remi pra ka marrë këtë veprim dhe ka menduar se mënyra për t’u përgjigjur ndaj këtij veprimi timitë shkojë dhe të rrëmbej dikë. Është një proces që nuk i jap dot zgjidhje. Është një proces torturues logjike do të thoja dhe kështu nuk e di të jap përgjigje tjetër”, tha Hill.
Hill: Supozonim se Shtabi i Përgjithshëm ishte organ që përbëhej nga komandantët e zonave lokale
Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guénaël Mettraux, dëshmitari Christopher Hill deklaroi se sipas supozimeve të tyre, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte më shumë një organ ushtarak i cili përbëhej nga komandantët e zonave lokale.
Ndërsa, për Drejtorinë Politike, Hill tha se e perceptonin si një organ që merrej më shumë me botën e jashtme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Supozimi ynë… dua të jem i qartë; supozimi ynë në mungesë të fakteve ishte që Shtabi i Përgjithshëm ishte më shumë organ ushtarak dhe përbëhej nga komandant të zonave lokale që ishin bashkuar në një moment dhe Drejtoria Politike ishte më shumë organi që merrej me botën e jashtme”, tha ai.
Duke folur për Adem Demaçin, dëshmitari Hill tha se ka qenë strikt për çdo temë dhe kishte një lloj mllefi pasi që ka qenë edhe i burgosur.
“Ai ishte shumë i rreptë, shumë strikt për çdo temë. Ai kishte një lloj mllefi se kishte qenë i burgosur dikur. Dihej dhe njihej si person me opinione shumë të forta dhe shumë të egra ndaj Serbisë”, tha ai.
Përveç kësaj, Hill tha se Demaçi nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje.
“Jo vetëm në Kosovë, por edhe pjesa tjetër e Jugosllavisë e dinte këtë. Ai nuk ishte një person me të cilin mund të bashkëpunoje”, tha Hill.
Ndërsa, për ekipin negociator, Hill tha se nuk donte që Demaçi ta konsolidonte këtë ekip duke u bazuar në qëndrimet e tij të prera në raport me Serbinë.
Hill për komunikatat e UÇK-së: S’e di kush i lëshonte, s’i merrnim si bazë për të përcaktuar strukturë vertikale organizative
Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill foli në Hagë për komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Tha se nuk e di se nga kush janë lëshuar ato dhe për çfarë arsyesh.
Sipas dëshmitarit, këto komunikata nuk mund t’i përdornin për të përcaktuar se ekzistonte një strukturë vertikale organizative e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Këto ishin shumë të mjegullta për ne sepse ne nuk e dinim se kush i lëshonte këto komunikata. A ishin çështje sigurie që nxirreshin apo vërtetë nuk ekzistonte një strukturë që të besonim edhe ne. Prandaj, ne nuk mund t’i përdornim këto komunikata si bazë për të përcaktuar një strukturë vertikale organizative të UÇK-së”, tha dëshmitari Christopher Hill.
Dëshmitari po ashtu theksoi se kishte mësuar për Drejtorinë Politike dhe se pjesë e saj ishte Hashim Thaçi. Tha se nuk ka dijeni se si e mësoi këtë fakt, por që e dinte se duhej të kontaktohej ky person.
Ai shtoi se nuk ka dëgjuar ndonjëherë që kjo Drejtori ishte e Shtabit të Përgjithshëm ose që ka drejtuar ndonjë gjë.
Christopher Hill: Pavarësia ishte slogan, vështirë të gjendej ndonjë shqiptar që thoshte dua autonomi
Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se shqiptarët e Kosovës çështjen e pavarësisë e kishin slogan. Ai tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duan thjesht autonomi.
“Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Dëshmitari tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.
“Personat shprehnin dhe thonin se unë e mbështes se Kosova do të jetë në Republikë. Pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thoshin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia”, tha ai.
Hill theksoi se duke e pasur parasysh këtë, edhe filluan që të kërkojnë pika kontakti.
“Duke pasur këtë parasysh, ne filluam të kërkonim pika kontakti që ishin të besueshëm dhe vërtetë që mund të flisnin në emër të UÇK-së”, u shpreh ai.
Hill tha për Adem Demaçin se ka pasur kontakt me atë sepse ishte një person me ndikim. Por, sipas tij, ai më shumë fliste për veten sesa për UÇK-në
“Unë kam shpenzuar kohë me zotin Demaçi sepse ishte një person që kishte ndikim. Nuk besoj që ai fliste për UÇK-në, por fliste më shumë për veten”, deklaroi Hill.
Hill: Krasniqi ishte zëdhënës, ai i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së
Në Dhomat e Specializura të Kosovës (DhSK) në Hagë, për të tretën ditë po vazhdon dëshminë ish-diplomati amerikan, Christopher Hill në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hill deklaroi të mërkurën se zëdhënës i UshtrisëÇlirimtare të Kosovës ishte Jakup Krasniqi, e i cili i bënte të ditura qëllimet e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Pyetjet për Hillin në këtë seancë i ka filluar tupi gjykues, specifikasht gjyqtari Guénaël Mettraux.
Dëshmitari Hill deklaroi se UÇK-ja kishte qëllime politike që synonte t’i realizonte dhe një prej tyre ishte pavarësia. Tha se ka logjikë të thuhet se për t’i realizuar këto qëllime politike, duhet të ishte dikush përgjegjës.
“Unë mendoj që zoti Krasniqi është shpallur publikisht si zëdhënës i UÇK-së. Pra, ai ishte personi që i bënte të ditura qëllimet”, tha dëshmitari.
Trupi gjykues dha një urdhër me gojë për pranimin në prova materiale të një intervistë me Wolfgang Petritsch që është marrë nga një libër.
Sipas mbrojtjes së Thaçit, ky material nuk duhet të pranohet nga kjo intervistë ngase del një pretendim i ri në thelb dhe pretendimi ose akuza është në kundërshtim me argumentet e ZPS-së dhe veçanërisht është në kundërshtim edhe me një material specifik të Prokurorisë.
Mbrojtja kishte pretenduar se nuk janë njoftuar me kohë dhe sipas tyre, Prokuroria në këtë fazë të procesit nuk duhet të dalë me një argument të ri që është në kundërshtim me argumentet e tyre të mëparshme.
Në anën tjetër, Prokuroria ishte përgjigjur se kundërshtimi ishte i pabazë dhe se Hill e trajtoi çështjen e shkëmbimit të të burgosurve duke treguar se edhe cili prej të akuzuarve ka marrë pjesë në këto takime.
Ndërsa, trupi gjykues hodhi poshtë kundërshtimin e mbrojtjes dhe e pranoi këtë material në prova materiale.
Ndryshe, Christopher Hill ka filluar dëshminë ditën më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe të martën më 11 nëntor 2025.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.