Hamza: Vërshimet shkaktuan situatë të rëndë në Mitrovicë

Kryetari i Mitrovicës përmes një postimi në Facebook ka thënë se situatë e rëndë si ajo që ndodhi javën e kaluar në Mitrovicë, nuk mbahet në mend.

“Tash e disa ditë qyteti ynë Mitrovica dhe qytetarët tanë janë përballur me vërshimet të cilat kanë shkaktuar një situatë të rëndë e cila nuk mbahet në mend në Mitrovicë”.

Ai ka thënë se janë në terren gjatë gjithë kohës pranë qytetarëve me të gjithë akterët e institucioneve komunale.

“Fatmirësisht, e gjithë kjo situatë ka kaluar pa viktima dhe dëme në njerëz, por duke lënë pas vetes dëme materiale milionëshe, në infrastrukturë, pronë publike, ekonomi familjare dhe biznese”.

Hamza shton se është bërë evakuimi i shumë familjeve, të cilat janë mbështetur me pako ushqimore, veshmbathje dhe strehim dhe tani janë në fazën e evidentimit dhe vlerësimit të dëmeve.

“Gjatë këtyre ditëve jam në komunikim të vazhdueshëm me shumë organizata dhe institucione të cilat kanë shprehur gatishmërinë që të na përkrahin në mënyra të ndryshme”.

Ai ka shprehur falënderimet për të gjithë ata që kanë ndihmuar në këtë situatë të vështirë.

“Dua të shpreh konsideratën më të lartë dhe falënderimin për të gjithë institucionet, klubin e zhytësve, qytetarët e vullnetit të mirë, operatorët ekonomik dhe organizatat jo qeveritare të cilat kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për ndihmë jo vetëm këto ditë por edhe gjatë ditëve në vijim. Kemi shumë punë për të rimëkëmbur qytetin tonë por ngadalë qytetit po i kthehet normaliteti dhe po bëhet pastrimi në secilin cep të qytetit. Bashkë do t’ia dalim”, deklaroi tutje Hamza.

/Telegrafi/

Read Previous

Kthjellime dhe vranësira, reshje dëbore në zona malore të Shqipërisë

Read Next

Deputeti gjerman: Serbia s’duhet ta bllokojë hyrjen e Kosovës në institucionet ndërkombëtare