Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, në një konferencë për media ka folur për synimin e PDK’së për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale.
Gruda ka thënë se ligji është përgatitur nga ekspertë dhe se janë të hapur edhe për opinione nga palët e tjera gjatë diskutimeve në Kuvend.
“Ligji është hartuar me ekspertizë të lartë. Kjo s’do të thotë që s’jemi të hapur për të dëgjuar opinione të tjera, por këtë do ta bëjmë në Kuvend.
Asnjë zyre s’ka autorizim të mbajë peng një ligj të tillë. Ky s’është ligj i PDK’së. Është ligj për mbrojtjen e UÇK’së dhe këtë duhet ta bëjmë të gjithë në Kuvend”, ka thënë Gurda, raporton Express.
Ai ka thënë se Ligji nuk e prish asnjë detyrim të Kosovës karshi marrëveshjes me BE-në dhe Holandën.
Gruda ka sqaruar se Specialja ishte themeluar shkaku i raportit të Dick Martyt dhe se vetë gjykata ka konstatuar se s’ka lidhje me një gjë të tillë.
Prandaj thotë Gruda, Ligji parasheh që Gjykata Supreme të kthehet në Kosovë ku mund të trajtohen akuzat për krime lufte.
“Ky ligj s’prish asnjë detyrim ndërkombëtar që Kosova ka marrë në marrëveshje me BE-në dhe as marrëveshjen me Holandën. Specialja është themeluar për trafik organesh, vetë gjykata speciale ka konstatuar s’ka lidhje me trafik organesh. Duke qenë se ata akuzohen për krime lufte, ne mendojmë që në shkallë të tretë mund të garantohet gjykimi në Kosovë”
“Ne jemi të bindur që përmbushim detyrimin ndërkombëtar që lidhen me raportin e Dick Martyt dhe mund ta bartim kompetencën për krime lufte në Kosovë”, ka thënë Gruda.