Gjykata Supreme vërteton që qytetarëve i është faturuar jashtëligjshëm rryma e shpenzuar në katër komunat veriore

Gjykata Supreme njofton se ka refuzuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për faturimin e rrymës të qytetarëve për katër komunat veriore të Kosovës.

Sipas njoftimit, nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie.

“Nuk janë të qëndrueshme pretendimet lidhur me arsyetimin e mos inkasimit në katër komunat e veriut me shkaqe sigurie dhe mos pasjes qasje në leximin e njehsorëve në atë pjesë, sepse nuk justifikohet që qytetarët tjerë për këto arsye të ngarkohen me pagesën e energjisë elektrike të harxhuar pa një bazë ligjore. Prandaj me këtë faturim dhe pagesë është bërë trajtim jo i barabartë i qytetarëve të Kosovës, e që bie ndesh me nenin 55 par. 4, të Kushtetutës, trajtim i pabarabartë, të cituar si në aktgjykimet e gjykatave të instancave më të ulëta, sepse është bërë kufizim i të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin Supremës.

Po ashtu, aty thuhet se konsumatorët, pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri.

“Bazuar në nenin 194 të LMD, konsumatorët, të cilët pa bazë ligjore dhe pa dijeninë e tyre janë faturuar dhe kanë paguar për energjinë e shpenzuar në veri, u lindë e drejta për kthimin e shumës së paguar si kanë vendosur gjykatat e instancave më të ulëta”, përfundon njoftimi.

/Telegrafi/

Read Previous

Sot zhvillohen çerekfinalet e para në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës

Read Next

Deri në 75% e automjeteve në Shtetet e Bashkuara mund të jenë elektrike deri në vitin 2050