Gjithçka çka ndodhi dje në veri

Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Me shpërthime e incidente është karakterizuar dita e e djeshme.

Kjo pjesë e vendit vazhdon të mbetet e bllokuar, edhe dymbëdhjetë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

Që nga e shtuna e 10 dhjetorit kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, ndërsa në javën që shkoi u njoftua edhe për barrikada të tjera të vendosura nga serbët lokalë.

Policia dje njoftoi për nëntë barrikada në total të vendosura nga serbët.

Fillimisht dje gjatë ditës u njoftua  për një shpërthim te “Kroi i Vitakut”. Policia tha se ky shpërthim dyshohet  të jetë kryer nga shok-bombë. Të njëjtit kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se nuk pati të lënduar.

Edhe dy shpërthime të tjera janë dëgjuar në veri, njëri rreth orës 20:45 ndërsa tjetri në 21:20. Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

I njëjti tha se shpërthimet kanë ndodhur në “Lagjen e Boshnjakëve” dhe te “Tre Rrokaqiejt”, dhe dyshohet se janë kryer me shok-bomba.

“Policia e Kosovës, njësitet patrolluese policore të rendit publik, rreth orës 20:45 dhe 21:20, kanë njoftuar se në ‘Lagjen e Boshnjakëve’ dhe te ‘Tre rrokaqiejt’- Mitrovicë Veri, janë dëgjuar dy shpërthime (dyshohet të jenë shok-bomba)”, konfirmoi Kelani.

“Bazuar në informacionet e deritanishme nuk është raportuar për ndonjë lëndim apo dëm material”, u tha në përgjigjen e Kelanit për Reporteri.net.

Një mjet shpërthyes  është hedhur edhe në drejtim të një ekipi televiziv në Lagjen e Boshnjakëve në veri, ku në afërsi gjendej edhe një veturë e Policisë së Kosovës.

Sipas TV1, shpërthimi i hedhur në drejtim të ekipit të gazetarëve ka qenë mjaft i fuqishëm dhe se në momentin e shpërthimit prezent kanë qenë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Po dje, njësitë e misionit paqeruajtës të KFOR-it, kanë bërë të ditur se që nga vendosja e barrikadave në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, kanë transportuar 9 policë të cilët kanë patrulluar në pjesët e barrikaduara.

“KFOR-i është në kontakt të ngushtë me PK-në dhe për t’i përkrahur ata kemi transportuar me tokë 9 policë të cilët janë ndjerë të sëmurë”, ka thënë KFOR-i.

Policët në veri të vendit tash e 11 ditë kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare përtej barrikadave, kjo gjë ka ngritur shqetësimet e Sindikatës së Policëve.

Po dje, KFOR ka bërë thirrje që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, shkruan Reporteri.net.

Sipas KFOR, zgjidhja e situatës duhet kërkuar përmes dialogut. Kështu deklaroi dje komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia.

“Ne presim që të gjithë akterët të bashkëpunojnë ngushtë me KFOR-in dhe të përmbahen nga demonstrimet e forcës, për të mundësuar lirinë e lëvizjes në Kosovë. Kfor do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Ftojmë të gjitha palët që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të mundësuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet kërkuar përmes dialogut”, tha, komandanti i KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja kanë kërkuar kohë për zhbllokimin e rrugëve në veriun e vendit, ndërsa theksoi se bllokada e tillë nuk mund të lejohet për një kohë të gjatë.

“Ne jemi në koordinim, komunikim të rregullt, të vazhdueshëm, intensiv me KFOR-in dhe padyshim që nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat e tilla por mos harroni se ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundi është fillimi i fazës së fundit të tyre” – tha Kurti.

Në anën tjetër nga KFOR nuk kanë deklaruar se kur po synojnë të ndërmarrin hapa drejt heqjes së barrikadave.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Goran Rakiq në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmbanë barrikadat.

Në një reagim në rrjetin social Facebook, ministri Sveçla thotë se e vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet.

“Ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”, shkruan Sveçla, sipas të cilit, institucionet e Kosovës, me partnerët, janë duke bërë përpjekje maksimale për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë, siç thotë ai, këta po i armatosin bandat brenda barrikadave.

“Nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale, prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena. Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cenuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njëjtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar, para se gjithash, të gjithë qytetarët pa dallim”, deklaroi Sveçla.

I ashtuquajturi “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës” bëri thirrje për protestë më 22 dhjetor për kinse “kërcënimeve të fundit të Albin Kurtit”, i cili, sipas tyre, bëri thirrje për zhdukjen e popullit serb dhe vrasjen e serbëve në barrikada.

Thirrja, shtojnë ata, është edhe për shkak të mbështetjes së drejtpërdrejtë të Kurtit nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, “i cili guxoi të caktojë ultimatume dhe afate për heqjen e barrikadave dhe ra në anën e terrorit dhe dhunës së Kurtit”.

“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë në protestën më të madhe publike ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar afër kryqit, ku populli ynë i përbërë nga mjekët tanë, profesorët, mësuesit, minatorët, të afërmit, fqinjët, nënat, motrat tona të mblidhen së bashku për të dërguar një mesazh të qartë të përbashkët se ne nuk pajtohemi me persekutim dhe vrasje dhe se veriu i Kosovës nuk është as Gjermania dhe as fundi i Kurtit, por vendi ku jetojmë dhe ku duam të qëndrojmë e të mbijetojmë”, thuhet në njoftim.

/Reporteri.net/

Read Previous

Mëngjesi i sotëm me acar, gjatë ditës temperatura deri në 10 gradë

Read Next

Banka e Shqipërisë parashikon rritje ekonomike 4 për qind në vitin 2022 dhe stabilizim të çmimeve vitin që vjen