Gjimshiti: Mbrojmë dhe sulmojmë të gjithë, Shqipëria ka shumë talente

Berat Gjimshiti, në prag të miqësores me Kilin, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin dhe u shpreh i kënaqur që në këtë duel do të kenë mbështetjen e tifozëve shqiptarë në “Ennio Tardini”.

Kapiteni kuqezi theksoi se me Kilin nuk është thjesht miqësore, ndërkohë që komentoi edhe kundërshtarët ne “Euro 2024”.

Cilësia e Kilit në portë dhe sulm – Besoj jo vetëm në portë dhe sulm, por në gjithë skuadrën kanë cilësi. Janë një kombëtare që gjithmonë kanë qenë në Botëror ose në Copa America të kualifikuar. Do jetë një test shumë i rëndësishëm për ne, pasi nuk jemi mësuar të luajmë me kombëtare të tilla. Ditët e sotme nuk ka më miqësore dhe mendoj se do i japim shumë vëmendje kësaj ndeshjeje dhe ta përballojmë me 100%.

Mungon Ismajli, por rikthehet Kumbulla? – Nuk janë vetëm Ismajli dhe Kumbulla, janë edhe Mihaj e Veseli këtu. Vendos trajneri kush do të luajë, nuk është problem, flasim të njëjtën gjuhë. Kemi shumë kohë bashkë në Kombëtare dhe nuk besoj që do te jetë problem.

Rëndësia e aspektit mbrojtës në Kombëtare? – Aspekti mbrojtës ka rëndësi po aq sa ai sulmues. Të dyja gjërat janë të rëndësishme, kështu që më e rëndësishme është që i gjithë ekipi të punojë bashkë, si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në fazën sulmuese. Nuk është vetëm mbrojtja që mbron, por është i gjithë ekipi. Ashtu siç nuk është vetëm sulmi që sulmon, do jetë i gjithë ekipi që e ndihmon të shënojë gol. Kështu që janë sy aspekte të rëndësishme në këto miqësore.

Shqiptarët në Itali – Është diçka që na shtyn më shumë ne që luajmë në Itali. Jemi disa lojtarë që luajmë në Itali dhe e dimë si është futbolli këtu. Këtu ka shumë shqiptarë që do të na përkrahin nesër. Do jetë diçka shumë e bukur të shohësh ata shqiptarë që janë edhe në vende jashtë Shqipërisë të na ndihmojnë.

Grupi në Evropian – Sigurisht që Italia është një kombëtare që ka historinë e vet, janë pothuajse gjithmonë në Europian e Botëror. Gjithsesi në futboll gjithçka është e mundur. Kemi një frymë jashtëzakonisht të mirë në skuadër, kemi lojtarë me cilësi. I gjithë ekipi është në rrugën e duhur dhe pse jo, pse të mos bëjmë surprizë në Europian. Në këtë moment nuk e kemi shumë mendjen te Europiani, kemi një herë këto dy miqësore që janë shumë të vështira. Pastaj kemi kohë të mendojmë për Europianin. Nuk është se kemi shumë frikë, por duhet të kemi respekt sepse janë kombëtare të mëdha, siç është Itali apo edhe ekipet e tjera në grupin e Europianit.

Si ndalohet Alexis Sanchez – Ka bërë një karrierë për t’u respektuar, me ekipe të mëdha, jo vetëm tek Interi. Është një lojtarë me shumë cilësi, i nivelit botëror. Duhet ndihma e ekipit për ta ndalur, vetëm një lojtar nuk mund ta ndalë. Është forca e ekipit që duhet ta ndalë gjithë ekipin e Kilit, jo vetëm një lojtar. Një lojtar nuk mund ta bëjë diferencën i vetëm.

Një Evropian në Shqipëri? – Për popullin shqiptar do të ishte diçka shumë e bukur të prisnim një Europian apo Botëror. Kohët e fundit po ndërtohet gjithçka në Shqipëri për zhvillimin e futbollit. Është hap i rëndësishëm për të gjithë lojtarët, për të rinjtë. Për gjëra të tjera mund të flasë më shumë Presidenti Duka, i cili i di më mirë se ne gjërat.

Zhvillimi i kampionatit shqiptar? – E thashë edhe më parë, që është zhvilluar futbolli në Shqipëri. Është parë edhe kur ka pasur në grupet e Europa League dhe Conference League ekipe shqiptare. Nuk është e thjeshtë, shumë lojatrë kanë talent, por duhet shumë punë, nuk mjafton vetëm talenti. Shpresoj dhe besoj se do bëhen të rinj më të mirë se ne në këtë moment, që ta çojnë Shqipërinë edhe më lart. Kjo është e rëndësishme. /Supersport.al

Read Previous

​Muzeu Kombëtar i Kosovës tash e disa ditë në terr, vizitorët s’mund të hyjnë brenda

Read Next

Distria Krasniqi kalon në çerekfinale të Grand Slamit të Tbilisit