Gjermania po dërgon trupa ushtarake në Lituani

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka njoftuar për krjimin e një brigade gjermane në Lituani si një hap kyç për të rritur praninë e forcave të NATO-s.

“Kjo është hera e parë që ne e kemi vendosur përgjithmonë një njësi të tillë jashtë Gjermanisë”, tha Pistorius në një ceremoni lamtumirëse për brigadën paraprake, duke theksuar rëndësinë që ka ky veprim për ushtrinë gjermane.

Bëhet e ditur se së shpejti personeli ushtarak do të vendosë edhe bazat në Lituani e cila kufizohet me Poloninë, Bjellorusinë si dhe enklavën ruse të Kalinigradit, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

“E di se ka ende shumë për të bërë, duke përfshirë këtu infrastrukturën e duhur. Kazermat duhet të jenë atje”, tha Pistorius.

“Ka ende shumë për të bërë nga pala lituaneze. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të pajisur brigadën me mjetet e duhura”, shtoi minstri.

Ndryshe, lufta në Ukrainë ka bërë që NATO të nxitojë me planet e saj për të forcuar krahun lindor.

“Panzerbrigade 45” në Lituani do të jetë plotësisht funksionale deri në vitin 2027 dhe do të përbëhet nga rreth 4,800 ushtarë me prani të përhershme dhe rreth 200 anëtarë civilë të forcave të armatosura gjermane dhe familjeve të tyre. /Telegrafi/

Read Previous

Brenda planit të fshehtë të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës Ukrainë-Rusi

Read Next

Marrëveshja për armëpushimin në Gaza, negociatat do të fillojnë pas 2 ditësh