Gjermania bën thirrje për ndalimin e importit të çelikut nga Rusia

Credit: Getty Images

Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil ka bërë thirrje për masa më të ashpra kundër Rusisë përpara një takimi të nivelit të lartë – ku do të diskutohen mënyrat për të nxitur sektorin e çelikut në vështirësi në Gjermani.

“Duhet të ketë një fund të plotë dhe të shpejtë të të gjitha importeve të çelikut nga Rusia”, tha Klingbeil.

“Pllakat e çelikut të prodhuara në Rusi dhe të përpunuara më tej në BE janë ende të përjashtuara nga sanksionet”, tha Klingbeil, i cili është gjithashtu zëvendëskancelar i Gjermanisë.

“Nuk mund t’i shpjegosh askujt që punon në industrinë tonë të çelikut pse Evropa vazhdon ta mbajë tregun të hapur për presidentin rus Vladimir Putin”, tha ai.

Pllakat e çelikut janë një material pararendës i përdorur në prodhimin e fletëve dhe spiraleve.

Klingbeil bëri thirrje për rritjen e prodhimit vendas dhe një fokus më të fortë në çelikun miqësor ndaj klimës dhe me cilësi të lartë nga Gjermania dhe Evropa.

“Në fusha të rëndësishme si infrastruktura dhe industria e automobilave, ne duhet t’i japim përparësi çelikut që prodhohet këtu”, tha ai.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz do të presë sot përfaqësues të industrisë së çelikut të vendit, në një përpjekje për të nxitur prodhuesit vendas nën presionin e tarifave të reja amerikane, konkurrencës kineze dhe një rënie të kërkesës nga prodhuesit e automjeteve në vështirësi.

I quajtur “Samiti i Çelikut”, ne takim do të marrin pjesë ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche dhe ministrja e Punës, Barbel Bas, si dhe udhëheqësit e landeve gjermane.

“Bisedimet synojnë miratimin e masave për të rritur qëndrueshmërinë dhe marrëdhëniet tregtare, përfshirë çmimet e energjisë”, sipas një zëdhënësi të qeverisë. /ATSH-DPA/

Read Previous

KOK dhe federatat sportive nënshkruajnë deklaratën që promovon barazinë gjinore në sport

Read Next

Shembet pjesërisht kulla historike pranë Koloseumit në Romë