Gjenden mbi 37 mijë kubikë me fidanë kanabisi në Shkodër, arrestohet 38-vjeçari dhe shpallet në kërkim një tjetër

Policia e Shkodrës ka goditur një rast të tentativës për kultivim e bimëve narkotike.

Bëhet me dije se gjatë operacionit policor të koduar “Luarza 1”, janë skuestruar 37,336 kubikë me fara dhe fidanë kanabisi, 1 automjet, 1 traktor dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Uniformat blu kanë identifikuar 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. Njëri prej tyre është arrestuar, ndërkohë që vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dytë të dyshuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

“Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional policor për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Luarzë, ishin mbjellë në kubikë, fara dhe fidanë narkotikë cannabis sativa, me qëllim kultivimin në tokë, shërbimet e Postës së Policisë Velipojë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Luarza 1”.

Si rezultat i operacionit, në këtë territor u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 37 336 kubikë me fara dhe fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, 1 automjet, 1 traktor dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.

Më tej, gjatë operacionit, si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua, u kap dhe u arrestua shtetasi N. L., 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. L., 48 vjeç.

Vijon puna për kapjen e 48-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë. /Telegrafi/

Read Previous

Shifrat e kontratave njëburimore, Rrustemi zbulon se si janë shpenzuar miliona euro në vitet e kaluara

Read Next

Gjatë shkurtit mërgata dërgoi në Kosovë rreth 88 milionë euro