Gërvalla nga Brukseli: Presim bisedë të hapur me ministrat e jashtëm për Ballkanin Perëndimor

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, para nisjes së takimit joformal me ministrat e jashtëm, ka deklaruar se shpreson që të ketë bisedë të hapur për Ballkanin Perëndimor dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

“Erdha këtu me shpresë që të kemi një bisedë të hapur për sundimin e ligjit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor e shteteve tjera aspiruese që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”.

“Të diskutojmë për nivelet e standardeve demokratike e të sundimit të ligjit që janë të nevojshme të plotësohen para se t’i bashkohemi të gjithë bashkërisht familjes evropiane”, ka thënë Gërvalla.

Nga ky takim ajo po ashtu deklaroi se do të duhej të dilnin standarde të reja për anëtarët e rinj.

“Shpresoj që diskutimet sot të jenë konstruktive e që Republika e Kosovës të mund të kontribuojë si kampione e demokracisë dhe sundimit të ligjit në rajonin e Ballkan Perëndimor në vendosjen e standardeve të reja për anëtarët e rinj”.

Në këtë takim është thënë se do të diskutohet për sfidat, nevojat dhe reformat e sundimit të ligjit në kuadër të procesit të zgjerimit të BE-së.

“Republika e Kosovës do të paraqes të arriturat e saj në procesin e integrimit në BE, reformat e thella të ndërmarra në sundim të ligjit dhe fusha të tjera, të evokojë rreth proceseve nëpër të cilat po kalojmë dhe nevojën e ndërmarrjes së veprimeve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, thuhej në komunikatë nga MPJD.

Ndërsa është theksuar se Gërvalla, do të realizojë edhe takime bilaterale me ministra të jashtëm dhe të çështjeve të BE-së për të diskutuar rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, me theks të veçantë rreth procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj. /Albanianpost.com

Read Previous

Xavi për qëndrimin e tij te Barcelona: Ndihesha përgjegjës për atë që po ndodhte në janar

Read Next

Tritoli ndaj gjyqtarit në Shkodër, policia jep 30 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion