Gërvalla nënshkruan vendim që ndalon punësimin e familjarëve në MPJD

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë vendim që të ndalohet punësimi i anëtarëve të familjes së ngushtë në këtë institucion.

Vendimin e ka bërë të ditur Gërvalla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Nepotizmi, familjarizim, mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe llogaridhënies si pasojë e këtyre dukurive, trajtimi i pabarabartë i zyrtarëve në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe atë të Diasporës kanë qenë ndër arsyet kryesore të gjendjes së mjeruar në të cilën e kam gjetur këtë institucion”, ka shkruar ajo.

Këtë vendim Gërvalla, e ka sqaruar duke thënë se punësimet që janë bërë në të kaluarën në këtë ministri janë të shumta.

“Është i gjatë rreshti i familjarëve të figurave politike dhe publike të punësuara në këtë ministri. I motrave dhe vëllezërve, i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave, kunatava, kunetërve dhe baxhanakëve të ministrave, deputetëve, pronarëve të mediumeve, gjyqtarëve e prokurorëve”.

“Nuk është i vogël as numri i anëtarëve të ngushtë të familjes të zyrtarëve të MPJD/së. Deri në katër anëtarë nga e njëjta familje kanë qenë të punësuar në këtë institucion. Familjarë të ngushtë janë dërguar të shërbejnë në të njëjtin mision diplomatik”.

Ndërkaq, me këtë vendim ajo është shprehur se do t’i jepet fund kësaj dukurie të paktën në këtë dikaster.

“Për t’iu dhënë fund këtyre dukurive kam nënshkruar vendimin me numër 113/2024, i cili ndalon punësimin e familjarëve të afërt të zyrtarëve dhe diplomatëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.

Tani e tutje, ka potencuar ministrja punësimet do të bëhen vetëm duke u bazuar në meritokraci, në konkurse të hapura për të gjithë dhe të bazuara në kritere profesionale.

“Vendimin e kam marrë me shumë përgjegjësi, e ndërgjegjshme që do të hasë në kundërshtime të forta nga ana e qarqeve politike dhe mediale, të mësuara me ndërhyrje të tilla, të cilat e dobësojnë shumë strukturën e ministrisë dhe vullnetin e zyrtarëve për të punuar me përkushtim. Por ndaj këtij vendimi nuk ka alternative”.

Akuza për punësime partiake nga pushteti ka pasur vazhdimisht edhe nga shoqëria civile dhe nga partitë opozitare.

Në 2022-ën, në adresë të partisë në pushtete, Vetëvendosje, ishin drejtuar kritika e akuza të shumta me pretendimet se zyrtarë nga ky subjekt politik kanë interferuar në konkursin e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke punësuar militantë partiakë dhe familjarë të tyre.

Pas këtyre akuzave publike Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte iniciuar hetime lidhur me këto punësime. /Albanianpost.com

Read Previous

Von der Leyen: Bashkimi Europian më i fortë se pesë vjet më parë

Read Next

Zgjedhjet në veri, ambasada britanike: Bojkoti, pengesë për demokracinë