FSK-ja angazhohet për kërkimin e trupit të mërgimtarit në Ujman

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të martën në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit i cili është hedhur në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin-Potokut.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Të dielën një mërgimtar dyshohet se është mbytur pasi është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit. 

Qe dy ditë trupi i mërgimtarit u kërkua nga ekipet e Policisë e ato të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit. Por s’ka pasur rezultat.

Në një reagim gjatë ditës së djeshme, Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, mohoi siç thanë “informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale” se trupi është gjetur dhe po pritet FSK-ja për ta nxjerrë.

“Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njofton opinionin publik se informacionet që po qarkullojnë në rrjete sociale lidhur me lokalizimin e trupit të personit të mbytur në Ujman janë të pabazuara dhe pa fakte. Kërkimet ende janë në vazhdim dhe çdo informacion zyrtar do të publikohet vetëm nga institucionet përkatëse dhe nga ekipet e angazhuara në terren. Lusim qytetarët dhe mediat që të mos shpërndajnë lajme të pavërteta që vetëm sa krijojnë konfuzion dhe pengojnë operacionet e kërkim-shpëtimit”, thuhet në reagim.

Read Previous

​Çfarë po ndodh me programin “Sporti në Shkolla”?

Read Next

SHBA-të transferojnë armë shtesë bërthamore në Britani?