Forca e shtrëngimit dhe gjendja e kyçit të dorës mund të tregojnë shumë për shëndetin

Topi i tenisit, peshat e lehta dhe disa lëvizje të thjeshta mund të ruajnë forcën, fleksibilitetin dhe funksionin e duarve

Kyçi i dorës përbëhet nga tetë kocka të vogla karpale, të lidhura me kockat e parakrahut dhe me bazat e pesë kockave të pëllëmbës. Kockat, ligamentet dhe nyjat funksionojnë në një ekuilibër shumë të saktë dhe çdo çrregullim i tij mund të ndikojë në zhvillimin e problemeve të ndryshme, përfshirë artritin.

Andrew Abadeer, nga Universiteti i Floridës së Jugut, ka shpjeguar për BBC se dëmtimet dhe plakja mund ta prishin këtë ekuilibër. Shkak nuk janë vetëm rrëzimet apo dëmtimet sportive, por edhe përsëritja afatgjatë e të njëjtave lëvizje.

Ndikimi i dëmtimeve të vjetra mund të bëhet i dukshëm shumë vite më vonë. Sara Larsson, nga Universiteti Lund, paralajmëron se një lëndim që në rini është dukur plotësisht i shëruar, mund të shfaqë pasoja pas disa dekadash.

Te osteoartriti dhe artriti post-traumatik, dëmtimi i ligamenteve dhe kockave ose inflamacioni kronik nga mbingarkesa mund të ndikojnë në kërc dhe të çojnë në pozicionim jo të rregullt të kockave.

Kyçi i dorës mund të japë sinjale për gjendjen e përgjithshme

Gjendja e kyçeve të duarve lidhet edhe me shëndetin e përgjithshëm. Abadeer e përshkruan kyçin si një lloj “nyje treguese”, pasi ai mund të jetë ndër vendet e para ku shfaqen simptomat e artritit reumatoid.

Sipas tij, rreth gjysma e pacientëve me këtë sëmundje mund t’i vërejnë simptomat e para pikërisht në kyçet e duarve.

Edhe forca e shtrëngimit të dorës konsiderohet një tregues i dobishëm funksional. Te personat e moshuar, një shtrëngim më i fortë lidhet me më pak brishtësi fizike, rrezik më të ulët për rrëzime dhe fraktura dhe me mundësi më të mëdha për të ruajtur pavarësinë në aktivitetet e përditshme.

Ushqimi dhe aktiviteti fizik kanë rëndësi

Në parandalimin e problemeve rol luajnë ushqimi, pesha trupore dhe, mbi të gjitha, aktiviteti fizik i rregullt.

Kirurgu ortoped Jaehon Kim, nga Icahn School of Medicine at Mount Sinai, rekomandon marrjen e mjaftueshme të kalciumit dhe mineraleve të tjera, të cilat gjenden, ndër të tjera, në produktet e qumështit dhe te peshqit e vegjël si sardelet.

Mbajtja e një peshe të shëndetshme mund të ndihmojë gjithashtu në biomekanikën e përgjithshme të trupit dhe në zvogëlimin e ngarkesës së panevojshme mbi nyjat, transmeton Telegrafi.

Foto: WildMediaSK

Ushtrime të thjeshta për kyçet dhe shtrëngimin

Larsson rekomandon tri seri me nga dhjetë përsëritje, tri deri në katër herë në javë. Nëse gjatë ushtrimeve shfaqet dhimbje, aktiviteti duhet ndërprerë dhe duhet kërkuar këshilla e mjekut.

Një grup ushtrimesh synon forcimin e muskujve të shpatullave. Edhe pse në pamje të parë mund të duken pak të lidhura me kyçin e dorës, muskujt e të gjithë krahut funksionojnë si një zinxhir. Shpatullat më të dobëta mund të shtojnë ngarkesën mbi pjesët e tjera të krahut.

Një ushtrim i thjeshtë është ngritja e ngadaltë e krahëve të shtrirë ose pak të përkulur nga pozicioni pranë trupit deri mbi kokë dhe kthimi i tyre ngadalë në pozicionin fillestar.

Forconi shtrëngimin e dorës

Për muskujt e parakrahut mund të përdorni një top terapeutik, plastelinë terapeutike ose edhe një top tenisi.

Shtrëngojeni objektin për pesë deri në dhjetë sekonda, më pas lirojeni dorën për rreth pesë sekonda. Përsëriteni ushtrimin dhjetë herë me secilën dorë.

Ngarkesa të lehta për më shumë forcë

Të dobishme janë edhe ushtrimet e përkuljes dhe shtrirjes së kyçit me pesha të lehta.

Vendoseni parakrahun mbi tavolinë, ndërsa pëllëmba dhe kyçi të dalin pak përtej skajit. Për përkuljen, pëllëmba drejtohet lart dhe kyçi ngrihet drejt trupit. Për shtrirjen, pëllëmba drejtohet poshtë dhe dora ngrihet lart.

Mund të përdoren pesha të lehta prej rreth 0.5 deri në 1.5 kilogramë, ose një shirit elastik. Ushtrime të tilla ndihmojnë në forcimin e muskujve dhe mund të kontribuojnë edhe në ruajtjen e forcës së kockave.

Të dobishme janë gjithashtu rrotullimet e parakrahut, të njohura si pronacion dhe supinacion. Dora me pëllëmbë të hapur rrotullohet ngadalë poshtë dhe më pas lart.

Këto lëvizje ndihmojnë në ruajtjen e fleksibilitetit dhe funksionit të kyçeve, veçanërisht në një kohë kur duart qëndrojnë për periudha të gjata pothuajse në të njëjtin pozicion gjatë përdorimit të tastierës ose telefonit. /Telegrafi/

Read Previous

Dion Gallapeni shkëlqen në Poloni

Read Next

Kurti: Jemi në ankth në prag të vendimit në Hagë, asnjë gjykatë s’mund ta njollosë UÇK-në