KQZ: Përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme po zhvillohen sipas planit
Zëvendësdrejtori i Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Mark Horton, ka vlerësuar lart progresin e Kosovës dhe reformat e realizuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke e cilësuar vendin si një histori suksesi dhe partner të rëndësishëm të FMN-së.
Në një intervistë për RTK, të realizuar në kuadër të Konferencës Rajonale të nivelit të lartë të organizuar nga BQK-ja me temën “Kornizat e politikave dhe rregullimit në një mjedis në ndryshim”, Horton tha se vitet e fundit kanë shënuar një periudhë të rëndësishme modernizimi dhe transformimi për institucionin.
Ai vlerësoi përparimin në forcimin e rregullimit dhe mbikëqyrjes së sektorit financiar, zhvillimin e sistemeve moderne të pagesave, rritjen e përfshirjes financiare dhe avancimin e kapaciteteve institucionale.
Sipas Hortonit, BQK-ja ka realizuar reforma të thella organizative, përfshirë modernizimin e qeverisjes institucionale, avancimin e politikave të menaxhimit të burimeve njerëzore, reformimin e proceseve të rekrutimit dhe forcimin e kapaciteteve profesionale e analitike.
“Ky është një transformim i gjerë institucional që e ka bërë BQK-në më moderne, më efektive dhe më të përgatitur për sfidat e ardhshme”, theksoi ai, duke shtuar se FMN-ja ka qenë dëshmitare e një procesi mbresëlënës reformues.
Horton vlerësoi gjithashtu lidershipin e BQK-së dhe bashkëpunimin me FMN-në përmes asistencës teknike, duke theksuar se Kosova është ndër vendet që jo vetëm i pranon rekomandimet profesionale, por edhe i zbaton ato me efikasitet.
Ndërkaq, kryekëshilltari financiar dhe drejtori i Departamentit të Tregjeve Monetare dhe Kapitalit në FMN, Tobias Adrian, vlerësoi stabilitetin dhe sofistikimin e sektorit financiar në Kosovë, si dhe dinamizmin ekonomik të vendit. Ai theksoi se temat e trajtuara në konferencë, si inteligjenca artificiale, tokenizimi, paraja digjitale dhe kripto-asetet, pasqyrojnë debatet globale mbi të ardhmen e financave.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se sektori financiar i Kosovës vazhdon të vlerësohet për stabilitetin dhe kuadrin e tij rregullator, duke veçuar bashkëpunimin me FMN-në përmes më shumë se 15 projekteve të asistencës teknike në fusha kyçe financiare.
Konferenca dyditore e organizuar në Prishtinë mblodhi përfaqësues të lartë të FMN-së, bankave qendrore dhe institucioneve financiare nga rajoni dhe më gjerë, me fokus sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi digjital i financave. /RTKLive