Drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Në një postim në Facebook, Fetoshi e ka cilësuar vendimin si “një moment jashtëzakonisht të rëndë për Kosovën”, duke theksuar se ai është i rëndë për të dënuarit, familjet e tyre, bashkëluftëtarët dhe për një shoqëri që luftën e UÇK-së e ka në themelet e çlirimit dhe të shtetit të pavarur.
“Por, në këtë moment të vështirë, Kosovës i duhet qetësi, dinjitet dhe përgjegjësi qytetare. Me gjithë vendimin e rëndë dhe të padrejtë, beteja për të vërtetën nuk ka përfunduar. Në Gjykatën e Apelit do të vazhdojë beteja me argumente dhe kundërshtim të vendimit të sotëm. Aktgjykimi i sotëm nuk duhet të trajtohet si fundi i këtij procesi të padrejtë. Zemërimi i kuptueshëm nuk duhet të shndërrohet në dhunë, e zhgënjimi nuk duhet të provokojë destabilizim”, ka theksuar Fetoshi.
Sipas tij padrejtësia ka edhe një fazë tjetër të betejës – Apelin, andaj çdo përshkallëzim në Kosovë në këtë moment do të ishte veçanërisht i rrezikshëm për të ardhmen.
“Incidentet eventuale apo çfarëdo cenimi i rendit në Kosovë, do të mund të instrumentalizohen nga Serbia për narrativat dhe inskenimet e saj kundër Kosovës: për ta paraqitur shtetin tonë si të paqëndrueshëm, institucionet si të brishta dhe shoqërinë kosovare si kërcënim për sigurinë”, ka shtuar Fetoshi.
Sipas Fetoshit “nuk duhet t’ia japim Serbisë atë që s’ka mundur ta fitojë gjatë luftës: mundësinë që ta minojë Republikën e Kosovës”.
“Përgjigjja jonë duhet të jetë demokratike dhe paqësore. Ne kemi të drejtë dhe duhet ta kundërshtojmë vendimin, ta kritikojmë, të protestojmë e të kërkojmë drejtësi. Mirëpo, këtë duhet ta bëjmë duke e mbrojtur shtetin dhe rendin demokratik, të ndërtuar mbi sakrificën e brezave. Sot duhet ta ndajmë mospajtimin nga interesi strategjik i Kosovës. Asnjë reagim yni nuk duhet ta dëmtojë Kosovën. Qetësia dhe përmbajtja nuk janë pajtim me vendimin. Beteja për Drejtësi vazhdon”, ka nënvizuar Fetoshi. /RTKlive