Eurostat: 35% e shqiptarëve nuk përballojnë qiratë, faturat, pushimet, apo blerjen e rrobave të reja

Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të privimit të rëndë material dhe social në Europë, sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2024.

Treguesi mat përqindjen e popullsisë që nuk mund të përballojë të paktën 7 nga 13 mallra, shërbime ose aktivitete që konsiderohen të nevojshme për një standard jetese të përshtatshëm.

Në to përfshihen pagesa e qirasë dhe faturave, përballimi i shpenzimeve të papritura, konsumimi i rregullt i mishit ose peshkut, një javë pushime larg shtëpisë, zotërimi i një automjeti, zëvendësimi i mobilieve të konsumuara, blerja e rrobave dhe këpucëve të reja, mundësia për të shpenzuar një shumë të vogël për veten, pjesëmarrja në aktivitete sociale dhe aksesi në internet.

Të dhënat tregojnë se rreth 35% e popullsisë në Shqipëri (34.8%) jetonte në kushte të privimit të rëndë material dhe social në vitin 2024, niveli më i lartë në Europë.

Shifrat tregojnë se hendeku mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian mbetet shumë i madh. Mesatarja e BE-së ishte rreth 6.3% në vitin 2024, rreth pesë herë më e ulët se niveli i regjistruar në Shqipëri.

Shqiptarët kanë shumë mungesa jo vetëm në raport me vendet e BE-sw, por edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Maqedonia e Veriut e ka privimin material në nivelin e 11.6%, Serbia 10.3% dhe treguesi është pak më i lartë në Mal të Zi, me 12.3%. Nuk ka të dhëna për Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën./express

Read Previous

Sot protestë në Prishtinë për gjuhën shqipe në provimet shtetërore në RMV

Read Next

Republikanët bashkohen me demokratët për Ukrainën, godasin Rusinë me sanksione të ashpra