Escobar dhe Lajçak më 9 janar zbarkojnë në selinë e NATO-s

Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, si dhe i Dërguari i Posaçëm i BE’së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të hënën do të zhvillojnë një takim në selinë qendrore të NATO-s.

Në njoftim bëhet e ditur se Escobar dhe Lajçak do të priten nga Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.

Emisarët pritet të zhvillojnë edhe një takim tjetër jozyrtar në Këshillin e Atlantikut të Veriut.Qëllimi i kësaj vizite nuk është bërë i ditur ende

“Të hënën më 9 janar 2023, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Mircea Geoană do të takohet me Z. Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së dhe Z. Miroslav Lajčák, Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Z. Escobar dhe z. Lajčák do të marrin pjesë gjithashtu në një takim jozyrtar të Këshillit të Atlantikut Verior”, thuhet në komunikatën e NATO-s.

Ndryshe, rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po afrohet me një intensitet shumë më të lartë pas njoftimit se kolosë të diplomacisë perëndimore do të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë në javën e dytë të janarit.

Zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media deklaroi se BE-ja dhe NATO, bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin, sidomos për çështjet që kanë të bëjnë me arkitekturën e sigurisë në rajonin e Ballkanit.

“Nuk është sekret që në kontekstin aktual strategjik bashkëpunimi i BE-së me NATO-n, është më i rëndësishëm dhe relevant se kurrë më parë. Kjo është parë edhe në praktikë”.

“Rasti i fundit ishte në veri të Kosovës, mes Krishtlindjeve dhe pushimeve të Vitit të Ri, kur BE-ja dhe NATO u koordinuan ngushtë në terren”, shtoi ai.

Afërsisht tri javë pjesa veriore e Kosovës mbeti e bllokuar nga 16 barrikada të vendosura nga serbët lokalë dhe të mbrojtura nga persona të maskuar dhe të armatosur.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Bashkimi Evropian dënon sulmin ndaj dy të rinjve në Shtërpcë

Read Next

Kevin McCarthy zgjidhet kryetar i Kongresit amerikan