Banka Botërore: Ekonomia shqiptare rritje me 3,4% këtë vit, 3,6% vitin e ardhshëm
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje pas protestave të studentëve, të cilët po kërkojnë përmirësimin e kushteve në arsim, luftimin e korrupsionit dhe uljen e kostos së jetesës.
Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama ka thënë se i konsideron të drejta shqetësimet e studentëve, por ka kundërshtuar përdorimin e dhunës gjatë protestave.
Ai ka theksuar se qeveritë në një sistem demokratik ndryshojnë përmes zgjedhjeve dhe jo përmes veprimeve të dhunshme.
“Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë nëpërmjet zgjedhjeve, jo me kokteje molotovi. Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë kam ndërmend ta zbatoj atë”, ka deklaruar Rama, i pyetur nëse do të japë dorëheqje.
Kryeministri shqiptar ka pranuar se problemet e ngritura nga studentët kërkojnë zgjidhje konkrete, duke përmendur arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive për të rinjtë.
Sipas tij, buxheti i vitit 2027, i cili pritet të paraqitet së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët.
Rama ka deklaruar se ka ftuar studentët dhe pedagogët në dialog të hapur dhe se është i gatshëm të shqyrtojë propozimet e tyre, përfshirë ato që vijnë nga kritikët më të ashpër të qeverisë.
Megjithatë, ai ka bërë dallim ndërmjet studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe grupeve të maskuara, të cilat, sipas tij, përdorin dhunë gjatë protestave.
Kryeministri ka pretenduar se në këto grupe ka edhe persona të lidhur me lëvizjen Antifa, të cilët i ka akuzuar për hedhje të koktejeve molotov, sulme ndaj ndërtesave publike dhe dëmtim të pronës private.
Ai ka theksuar se lufta kundër korrupsionit është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë dhe jo e atyre që përdorin dhunën.
Duke iu përgjigjur kërkesave për dorëheqje, Rama ka deklaruar se çdokush ka të drejtë ta kërkojë largimin e tij, por askush nuk mund t’ia imponojë atë përmes forcës.
“Detyra ime është të dëgjoj ankesat e vlefshme, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.
Rama ka shtuar se nuk do të largohet nga kjo përgjegjësi vetëm sepse, sipas tij, një pakicë beson se vënia e flakës vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit.
Protestat e udhëhequra nga studentët kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të Shqipërisë gjatë tetorit.
Sipas Reuters, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e Ramës, ndërsa disa tubime janë shoqëruar me përplasje me policinë, dëmtime të pronës dhe përdorim të gazit lotsjellës e topave të ujit nga forcat e rendit.
Studentët kanë ngritur shqetësime për cilësinë e arsimit, shpenzimet universitare, mungesën e mbështetjes financiare dhe perspektivën e punësimit pas përfundimit të studimeve. /KosovaPress/