Dy vetëvrasje për shkak të finales së Champions League

Incidentet e rënda që ndodhën në prag të finales së Champions League, mes Real Madrid dhe Liverpool, në Stade de France, më 28 maj, kanë shkaktuar dy viktima.

Sipas gazetës franceze “L’Equipe”, dy tifozë të ekipit anglez kanë vrarë veten pas traumës që i shkaktoi ripërjetimi në Paris i tragjedisë së Hillsborough, të ndodhur 32 vite më parë.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Presidenti i HSSA (Hillsborough Survivors Support Alliance), Peter Scarfe.

“L’Equipe” thekson se të paktën 150 tifozë të Liverpool u ndjenë si në Hillsborough gjatë finales së Champions, kur tifozët u grumbulluan në portat e stadiumit për shkak të keqorganizimit dhe nisën të ngjesheshin, duke rrezikuar jetën.

“Nuk mund të jap detaje për dy vetëvrasjet, pasi hetimet vazhdojnë. Vetëm mund të them se njëra nga vetëvrasjet ndodhi rreth një javë pas finales dhe tjetra, javën e kaluar. Viktimat janë 52 dhe 63 vjeç dhe nuk ka asnjë dyshim që e kryen këtë akt sepse finalja e Champions i ka kujtuar traumën e vitit 1989, që mendonin se e kishin lënë pas krahëve”, tha Peter Scarfe.

96 tifozë të Liverpool vdiqën në 15 prill 1989, në Hillsborough, gjatë gjysmëfinales që “The Reds” luajtën ndaj Nottingham Forest. Në stadium u futën më shumë tifozë sesa mbanin shkallët dhe nisën të shkelnin njëri-tjetrin, ndërkohë që policia refuzoi të hapte rrethimin në mënyrë që tifozët të hynin në fushë për të shpëtuar, duke menduar se thjesht kërkonin të bënin trazira./A2news/

Read Previous

Një burrë blen aksidentalisht tre bileta për të njëjtin short lotarie, fiton tri herë

Read Next

Ilaçi eksperimental për kurimin e Alzheimerit rezulton i suksesshëm