Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka folur për pamjet e publikuara në media, ku shihej nënkryetarja (tashmë e shkarkuar) e Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq, të konsumonte kokainë në ambientet e komunës.
Vokrri ka thënë se kanë pasur indikacione për devijime, por, se nuk kanë pasur dëshmi për këtë.
“Ajo çka kemi parë është shqetësuese. Ka pasur nga pak indikacione se mund të këtë devijime të tilla, por, dëshmi nuk kemi pas. Unë nuk kam qenë i kënaqur me mbajtjen e pozitës që e ka pasur nënkryetarja. Kam menduar që mundet me pas zgjedhje më të mira. Reputacioni i saj nuk është përfaqësues të qytetarëve të Leposaviqit e as për institucione e Kosovës. Nënkryetarja e ardhshme do të jetë më e denjë për atë pozitë.
E dënoj dhe organet e drejtësisë duhet ta kryejnë punën e tyre dhe nuk përfundon gjithçka me shkarkimin e saj. Duhet me i shiku pasoja eventuale që janë si rezultat i qëndrimit të saj në atë pozitë”, ka thënë Vokrri në një prononcim në “Debat Plus”.
Në pamjet e publikuara nga Gazeta Nacionale, njëra prej të cilave dyshohet të jetë realizuar në një nga banjot e objektit të komunës së Leposaviqit, nënkryetarja e Leposaviqit shihet teksa konsumon drogë, që dyshohet të jetë e llojit kokainë.
Miletiq, për këto video-incizime e ka akuzuar Listën Serbe.
“Të rreme. Të gjitha këto janë të shpikura prej qytetarësh të Listës Serbe për të kërcënuar emrin dhe pozitën time në Komunë (të Leposaviqit), si dhe punëtorët në Komunë të Leposaviqit”, ka thënë nënkryetarja e Leposaviqit.
“Nuk është e vërtetë. Që nga fillimi i përfshirjes sime në këtë vend (në Komunë) ata kanë thurrur tregime të ndryshme vetëm për të më rrënuar mua, dhe veturës sime ia vunë flakën. Është e pabesueshme se sa presion kanë bërë mbi mua dhe emrin tim. Por, do të luftoj gjer në fund. S’më frikësojnë”, tha ajo./Gazeta Nacionale/