Drejtoresha e “Down Syndrome Kosova”: Personave me aftësi të kufizuara po iu mohohet e drejta e votimit

Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, ka reaguar ndaj pengesave që po u bëhen personave me sindromën Down gjatë procesit të votimit në zgjedhjet lokale që po mbahen sot në Kosovë.

Ajo ka bërë të ditur se disa persona me aftësi të kufizuara nuk po lejohen të votojnë, pavarësisht se kanë ushtruar këtë të drejtë në zgjedhjet e kaluara.

Përmes një postimi në profilin e saj në “Facebook”, Hajdini-Beqiri ka sjellë një rast konkret, ku një person me sindromën Down është penguar të votojë në qendrën e votimit në Ulpianë.

“Sot, GENCIT iu mohua e drejta e votimit, megjithëse Genci ka votuar në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit 2024 dhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025. Sipas Kushtetutës dhe ligjeve të tjera në fuqi, Genci ka të drejtën dhe mundësinë për të votuar, sepse ai ka zotësi veprimi. Sot, në orën 11:40, në qendrën e votimit në Ulpianë, në shkollën ‘Hasan Prishtina’, ku Genci ka votuar në tetor, udhëzuesi zyrtar për votuesit me asistencë, i hartuar në nëntor 2025, ia ndaloi atij këtë të drejtë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka kritikuar ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për këtë situatë.

“‘Profesionistë’ të KQZ-së, a jeni të vetëdijshëm që asnjë dokument zyrtar nuk mund të hartohet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet që janë në fuqi? Genci, më fal që u zhgënjeve sot. Kjo është Kosova jonë, ku dikush mund të bëjë një dokument dhe, brenda një dite, të mohojë një të drejtë të tillë”, ka përfunduar reagimin e saj Hajdini-Beqiri.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Osmani: Kosova ka demorakacinë më të fortë elektorale në rajon

Read Next

Ndalohen dy të dyshuar në Fushë Kosovë për dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin