Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Clark: Akuzat se UÇK-ja trafikoi organe, ishin fushatë dezinformuese e rusëve
Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se akuzat që UÇK-ja ka kryer krime të trafikimit të organeve kanë qenë një fushatë dezinformimi.
Sipas tij, ky ishte një pretendin qesharak në një fushatë bombardimesh që të hiqeshin organet e njerëzve dhe të shiteshin, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Mendoj se ishte pretendim qesharak që në një fushatë ajrore bombardimesh hiqeshin organet e njerëzve dhe shiteshin. S’ka kuptim. S’kishte kuptim kjo gjë. Ishte thjesht dezinformim”, tha Clark.
Këtë fushatë dezinformimi, sipas Clark, ishin të njëjtët persona që ia dhanë librin në vjeshtën e 1998-ës.
“Të njëjtit persona që më dhanë librin në vjeshtën e ’98-ës. Këta persona ishin rusët”, tha ai.
Clark mohoi se ka parë ndonjë urdhër nga Thaçi të drejtuar dikujt. Po ashtu, ai mohoi se ka marë ndonjë raport të lëshuar për Thaçin nga ndonjë vartës.
Prokurori – Clarkut: Ju nuk dini mjaftueshëm se çfarë ka bërë UÇK-ja për të ditur akuzat ndaj Thaçit
Prokurori Mat Halling i tha dëshmitarit Wesley Clark se ai nuk di mjaftueshëm lidhur me UÇK-në dhe për atë se çfarë ka bërë UÇK-ja për të ditur akuzat që rëndojnë mbi Hashim Thaçin.
“Unë po e shpreh mendimin tim se ju nuk dini mjaftueshëm lidhur me UÇK-në për atë se çfarë UÇK-ja ka bërë për të ditur që akuzat me të cilat zoti Thaçi përballet në këtë gjykatë janë të qenësishme apo jo. Çfarë përgjigje keni ju për këtë qëndrim tonin”, i tha prokurori- dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për këtë, dëshmitari Clark tha se aktakuza në këtë rast është pjesërisht relevante për proceset. Megjithatë, ai tha se Thaçi nuk ka pasur kontroll mbi UÇK-në.
“Kjo është një akuzë që është vetëm pjesërisht relevante për proceset e kësaj gjykate sepse si komandant strategjik jo asnjëherë nuk kemi pasur mundësinë që të bëjmë kërkime që të na vërtetohet ky qëndrim. Thaçi thjesht rezultoi që të ishte person ambicioz, i artikuluar, i prezantueshëm. Por, sa i përket kontrollit, pa diskutim që nuk ka pasur kontroll. Absolutisht nuk kam parë një gjë të tillë sepse këto elemente nuk e kishin atë strukturë që do e kishte një organizatë normale. Bëhej fjalë për persona, grupe individuale që po luftonin për mbijetesën e tyre. Nuk ekzistonte asnjë lloj letre ku shkruheshin gjëra”, tha Clark.
Veç kësaj, Clark tha se në këtë rast akuzat nuk janë të qenësishme ndaj Thaçit.
“Jo, akuzat nuk janë të qenësishme”, tha Clark.
Përpara kësaj, Clark u pyet se a e di në qoftë se UÇK-ja e ka identifikuar dikë si komandantin e vet.
“Jo, në dijeninë time. Nuk e kam menduar këtë në asnjë moment dhe mënyra se si i kam parë unë ngjarjet, Çeku ka qenë personi përgjegjës”, tha Clark.
“Akuzat të cilat i kisha në mendjen time ishin për shitje organesh. Kam përshtypjen se në periudhën 2007 dhe 2008 kishte akuza për shitje organesh dhe unë personalisht e konsideroja atë si dezinofrmim. Nuk e kam kuptuar kurrë për çfarë bëhej fjalë për akuzat por që në momentin që e kam dhënë këtë deklaratë, unë nuk e kisha idenë se cilat ishin akuzat e ngritura”, shtoi Clark.
Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për të vazhduar më pas me pyetje shtesë nga mbrojtja e Thaçit.
Clark: S’kam marrë informacion nga Thaçi, por nga nivele më të ulëta
Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka thënë se vazhdimisht po përpiqeshin që të merrnin informacione nga UÇK-ja. Tha se këtë informacion nuk e ka marrë asnjëherë nga Hashim Thaçi, por nga nivele më të ulëta dhe në biseda joformale.
“Nuk vihet në dyshim se të gjithë po përpiqeshin që të merrnin informacion nga UÇK-ja. Ne duhej të merreshim informacion nga terreni dhe gradualisht kemi marrë më shumë informacion. Po e merrnim nga të gjitha burimet e mundshme por siç thash në deklaratat e mia dje, nuk kam marrë asnjë gjë nga Thaçi i cili siç e dini pretendohet të ketë qenë përgjegjës. Tek unë nuk ka ardhur. Është nxjerrë nga nivele me të ulëta, nga biseda joformale dhe kam marë përshtypjet e forcave të mia speciale që ishin në Kukës”, tha Clark, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përveç kësaj, gjenerali Clark tha se ka pasur dy persona atje dhe se ata kanë marrë informacione nga njerëzit me të cilët bisedonin.
Clark tregoi se në mars të 1999-ës është takuar njëherë me Thaçin në bazën ajrore të tyre.
Wesley Clark: Kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie
Gjenerali Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë, duke folur për deklaratat se kinse UÇK-ja ishte organizatë terroristë në fillimet e saj, tha se kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, ata kalojnë nga të qenët terroristë në luftëtarë lirie.
Nga prokurori Matt Halling, dëshmitari u pyet se a është e drejtë të thuhet se duhej të mbahej një lloj distance gjatë bombardimeve nga UÇK-ja, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Përkundrazi, dëshmitari e mohoi një gjë të tillë duke thënë se ata kërkuan nga Hashim Thaçi që t’iu ndihmonte.
“Jo kjo nuk është e saktë, për këtë arsye fola me Thaçin. Unë i kërkova Thaçit të na ndihmonte. Ishim në një pikë kritike të historisë, të vlerave, të etikës, të demokracisë në këto kohë. Shpresoj që të mos më ndërpres trupi gjykues. Megjithatë, në një pikë të caktuar kur njerëzit luftojnë kundër shtypjes, në një pikë ata kalojnë nga të qenët terroristë, tek të qenët luftëtarë lirie dhe në një pikë të caktuar opinioni botëror dhe konsensusi botëror mbërrin në përfundimin që njerëzit kanë të drejtë të rezistojnë presionin e luftës dhe kjo është e parashikuar në deklaratën amerikane të pavarësisë dhe është diçka normale dhe e logjikshme”, tha Clark.
Clark tha se që nga koha kur Kosova më 1974 supozohej që të ishte një shtet i ndarë administrativisht, Sllobodan Millosheviqi e fshiu.
Sipas Clark, në një pikë të caktuar në mënyrë kolektive u organizuan dhe u bënë çlirimtarët e njerëzve.
“Mbrojtja kolektive e popullit të vet”, tha Clark.
Ai shtoi që i kujtohet se Gelbard e quajti familjen Jashari terroriste dhe se amerikanët i tërhoqën vërejtjen për këtë.
“Më kujtohet që Gelbard e quajti familjen Jashari terroriste, por për këtë iu tërhoq vërejtja nga lidershipi amerikan”, tha ai.
Rinhardt kishte thënë që Thaçit s’duhej besuar pasi s’u distancua nga veprimet e UÇPMB-së, Clark thotë se lexoi që pati dhunë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Gjenerali gjerman, Kalus Reinhardt në një shënim të tij kishte thënë se Hashim Thaçit nuk duhej besuar pasi që ai në një konferencë të përbashkët nuk ishte distancuar nga veprimet e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB).
“Ai akuzon palën serbe se ka rifilluar gjenocidin dhe dëbimin e personave. Ai shpjegon situatën e refugjatëve që ka parë dhe pretendon se atyre u është dashur të kalojnë në këmbë përmes bjeshkëve me sendet e tyre të fundit. Mbase ai ka qenë në një film tjetër nga i imi. Më pas ai flet për vuajtjet e shqiptarëve që janë persekutuar që nuk janë më të gatshëm për t’i pranuar këto gjëra. Ai nuk tha asnjë fjalë që distancohet nga UÇPMB-ja”, lexoi prokurori Matt Halling dorëshkrimin e gjeneralit Reinhardt.
Veç kësaj, Reinhardt kishte thënë për Thaçin se ai nuk tha asnjë fjalë për sigurinë, por përkundrazi e tha të kundërtën e që kjo e kishte zemëruar, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Nuk tha asnjë fjalë për sigurinë por përkundrazi e tha të kundërtën. Dha deklarata të rreme dhe bëri propagandë. Unë jam shumë i zemëruar që nuk mund të ndërhyj tani përpara kamerave që po na xhirojnë. Sapo të dal nga dhoma, unë e ballafaqoj Thaçin. Ai është krejt i befasuar ‘më lë fare pa fjalë’. Dhe unë i thash që e tradhtove besimin tim. Ai pretendon se foli si një politikan i shqiptarëve të Kosovës dhe i thash që nuk do e bëj asnjë konferencë të ngjashme të tillë dhe do ua kufizoj deri në minimum bashkëpunimin me ju”, lexoi prokurori.
Reinhardt kishte thënë se kërcënimi për minimizim të bashkëpunimit duket se kjo nuk e bezdisë Thaçin dhe se ai i ka bërë pikat e veta kombëtare në thonjëza dhe ai pret të sigurojë miratimin e popullatës shqiptare.
Gjithashtu, u tha se Reinhardt kishte thënë për Thaçin se ky person nuk duhej besuar e që po ashtu me këtë rast ishte i inatosur edhe gjenerali Clark pasi tani i akuzuari i kishte premtuar krejt diçka tjetër.
Klaus Reinhardt, sipas dorëshkrimit, kishte dënuar ngjarjet në Luginën e Preshevës.
“Ai fillon; Mesazhi im është shumë i shkurtër. Jam shumë i shqetësuar për ngjarjet në Luginën e Preshevës, situata në kufi në mes Kosovës dhe Luginës së Preshevës mund të përshkallëzojë shumë shpejt dhe mund të ndikojë në një konflikt që mund të ndikojë në të gjithë rajonin. Kjo nuk është në interesin e gjithë popullatës, KFOR-it apo komunitetit ndërkombëtar. Prandaj, ne e dënojmë përdorimin e dhunës në këtë zonë”, lexoi prokurori dorëshkrimin e gjeneralit Reinhardt.
Ndërsa, dëshmitari Wesley Clark tha se i kujtohet kjo ngjarje dhe tha se s’ka qenë personalisht aty.
“Unë nuk kam qenë personalisht atje dhe nuk e di se çfarë ka ndodhur. Por, unë e di se ishte një situatë që po bëhej një kalim i UÇK-së nga një organizatë ushtarake dhe rezistence në një person që kërkonte një të ardhme politike për veten dhe vendin e tij – Kosovën”, deklaroi Clark.
“Unë kam lexuar që ka pasur dhunë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Këtë më kujtohet që e kam lexuar”, tha tutje ai.
Përpara kësaj, kur u pyet se a e di se ku i bie Lugina e Preshevës, dëshmitari tha se është pjesë e Serbisë.
“Lugina e Preshevës është në pjesën e ish-Jugosllavisë- në Serbi”, u shpreh Clark.
Dëshmitari pohoi se kjo zonë ka qenë delikate pas periudhës së luftës, duke shtuar se ka pasur popullsi të konsiderueshme shqiptarësh që ndodhen në këtë zonë në Serbi.
Clark pohoi se shqiptarët e Kosovës e quajnë territor shqiptar Luginën e Preshevës. Gjithashtu, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Matt Halling, ai pohoi se deklaratat e tilla i rrezikonin marrëdhëniet në mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.
Veç kësaj, dëshmitari u pyet se a është e vërtetë të thuhet se shqiptarët e Kosovës shpreheshin se dhuna në Luginën e Preshevës nuk duhej toleruar dhe ishte e rrezikshme asokohe për shkak se kjo zonë ishte pjesë e Serbisë.
“Nuk jam i sigurt se a ishte e rrezikshme. Ata e kishin të drejtën e tyre të shpreheshin, të flisnin për ndikimin e masave serbe ndaj shqiptarëve në një territor fqinj”, u përgjigj dëshmitari.
Clark: S’kam prova që UÇK-ja është prapa spastrimit etnik të serbëve
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, gjenerali Wesley Clark në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka deklaruar se nuk prova që UÇK-ja është prapa spastrimit etnik të serbëve.
Pyetjet për këtë dëshmitar gjatë fillimit të seancës së të martës i ka vazhduar prokurori Matt Halling, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë nuk kam prova dhe dëshmi që UÇK-ja ishte prapa kësaj dhe kam indikacione që provojnë të kundërtën. Po i referohem deklaratës ku pretendohet se rreth 170 mijë serbë të jenë dëbuar nga Kosova”, tha Clark.
Clark deklaroi këtë pasi prokurori Halling ia paraqiti një dokument të një interviste nga gazeta “Shekulli”, ku pretendohej se dikush kishte thënë se në Kosovë janë dëbuar rreth 170 mijë serbë, e që prapa kësaj qëndron UÇK-ja.
Dëshmitari e ripërsëriti se dhuna e vitit 1999 ishte më shumë personale dhe jo e orkestruar.
Për të diskutuar një çështje e cila është konfidenciale, u kalua në seancë private për publikun.
Wesley Clark edhe sot vazhdon dëshminë në Hagë
Ish-komandanti suprem i forcave të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, pritet të vazhdojë edhe të martën dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimini ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Gjenerali Clark dëshminë e nisi të hënën, ndërkaq pritet të dëshmojë edhe sot dhe gjatë ditës së nesërme, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të hënën, Clark deklaroi se Hashim Thaçi nuk ishte komandant ushtarak dhe se nuk kishte kontroll mbi njerëzit që kanë kryer krime. Tha UÇK-ja përbëhej nga njerëz të vetorganizuar, duke shtuar se nuk kishte hierarki në UÇK dhe se kjo nuk ka qenë e mundur pa qenë në dijeni edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu, në seancën e së hënës Clark tha se nuk kishte dëgjuar për Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së, e as për incidente që pretendohet se janë kryer nga kjo ushtri. Ndërkaq, kur u fol për masakrën e Reçakut, ai tha se ekzistonte rreziku që Sllobodan Millosheviq t’i tjetërsonte pronat dhe të pretendohej se ngjarja u shkaktua nga UÇK-ja.
Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.
Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.
Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.
Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.
Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025.
Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.
DhSK-ja kishte bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.
Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.
“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.
Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.