Demokratët fitojnë në Arizona dhe janë një vend larg kontrollit të Senatit

Ish-astronauti Mark Kelly ka mundur rivalin e tij republikan në garën për senat në Arizona.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, në një deklaratë, 58-vjeçari Kelly, senator në detyrë, tha: “Faleminderit popullit të Arizonës që më rizgjodhët në Senatin e Shteteve të Bashkuara”.

“Që nga dita e parë, kjo fushatë ka qenë për shumë Demokratë, të Pavarur dhe Republikanë – të cilët besojnë në punën e përbashkët për të trajtuar sfidat e rëndësishme me të cilat përballemi”.

“Kjo është pikërisht ajo që kam bërë në dy vitet e para në detyrë dhe do të vazhdoj të bëj për sa kohë të jem aty”.

“Ka qenë një nga nderet e mëdha të jetës sime të shërbeja si senator i Arizonës”.

“Jam i përulur nga besimi që shteti ynë ka dhënë tek unë për të vazhduar këtë punë”.

Kelly është një ish-kapiten i marinës amerikane dhe astronaut në pension, i cili bëri katër udhëtime në hapësirë, duke përfshirë misionet e dërgimit të pajisjeve, furnizimeve dhe ekuipazhit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Rivali i tij republikan për vendin e Arizonës ishte Blake Masters, një kapitalist 36-vjeçar.

Fitorja e zotit Kelly e vendos rezultatin për senatin me 49-49, me kontrollin që varet nga garat në Nevada dhe Gjeorgjia.

Dhe nëse demokratët do të arrinin të fitonin në Nevada, ata do të siguronin 50 vende dhe rrjedhimisht kontrollin e Senatit, pasi nënpresidentja, Kamala Harris, ka një votë cilësore në rast të një barazimi.

Në rast se janë republikanët ata që fitojnë në Nevada, kontrolli i Senatit do të vendoset në raundin e dytë të zgjedhjeve në Gjeorgjia, i cili do të mbahet më 6 dhjetor. /Telegrafi/

Read Previous

Kurtin publikon pamje nga pritja para darkës me Macronin

Read Next

Gjermani: 59-vjeçari vret tre persona dhe më pas veten