Nga Parisi në Tiranë, arsyet e valës së protestave të të rinjve evropianë
Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë rrezikon të ndikojë në sundimin e ligjit, besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Kështu vlerëson analistja gjermane, Johanna Deimel, e cila në një intervistë për Radio Kosovën flet edhe për ndikimin politik të kësaj nisme, trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimet në Serbi dhe të ardhmen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Deimel thekson nevojën për një qasje të përbashkët ndërpartiake dhe për rikthimin e besimit të partnerëve ndërkombëtarë përmes rrugëve diplomatike.
Radio Kosova: Si e interpretoni nismën e Kuvendit të Kosovës për ndryshimin e ligjit që rregullon Dhomat e Specializuara?
Johanna Deimel: Së pari, do të doja të theksoja se vendimi u shpall në Hagë në një kohë kur Kosova po kalonte një fazë shumë të rëndë politike. Kriza politike, sipas këndvështrimit tim, kishte arritur një pikë absolutisht kritike, në të cilën gjithnjë e më shumë po vihej në pikëpyetje funksionimi i institucioneve shtetërore. Kjo nismë u paraqit në një periudhë të gjatë bllokade institucionale. Po të mos ishte zgjedhur presidentja në momentin e fundit, vendi do të përballej me zgjedhje të reja dhe do të gjendej në një situatë edhe më të rëndë politike, sociale dhe ekonomike.
Në këtë aspekt, zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës ishte një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm politik, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Pika ime e radhës lidhur me këtë pyetje është se të dyja çështjet, pra ndryshimet e propozuara dhe zgjedhja e presidentes, u karakterizuan nga bashkëpunimi ndërmjet PDK-së dhe Vetëvendosjes. Kriza politike u shmang fjalë për fjalë në momentin e fundit. Kjo ndodhi sepse një nga kushtet e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentes ishte që paraprakisht të miratoheshin këto ndryshime.
Sipas mendimit tim, ky ishte një veprim politik shumë i guximshëm, por edhe mjaft i rrezikshëm. Megjithatë, ajo që mbetet tani është një çështje e rëndësishme, sepse ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe kufijtë e pushtetit parlamentar në raport me një gjyqësor të pavarur. Në thelb, pyetja është nëse, në të ardhmen, çështjet gjyqësore do të zgjidhen përmes gjykatave të pavarura dhe mjeteve juridike, përkatësisht procedurave të ankimimit, apo nëse do të ndikohen nga presioni politik. Kjo është një çështje themelore për funksionimin e sundimit të ligjit dhe madje edhe për besimin e qytetarëve në të. Mesazhi politik i kësaj nisme është se ne mund t’i anashkalojmë detyrimet juridike ndërkombëtare që kemi marrë përsipër.
Radio Kosova: A e shihni këtë nismë kryesisht si një lëvizje të brendshme politike, si një përpjekje për t’iu përgjigjur opinionit publik apo si një sfidë ndaj bashkësisë ndërkombëtare?
Johanna Deimel: Pra, përshtypja ime është se pikërisht për shkak se Kosova ndodhej në një gjendje trazirash dhe pasigurie, dhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për mua, ky aktgjykim goditi një shoqëri që ishte thellësisht e tronditur në themelet e saj për sa i përket të ardhmes së vendit. E ardhmja ishte më e pasigurt sesa kishte qenë për një kohë të gjatë. Për më tepër, u vu në pikëpyetje lufta e drejtë për pavarësi kundër terrorit serb. Të paktën, ky ishte interpretimi i përhapur, i shoqëruar me reagime tejet emocionale.
Prandaj, protestat që pasuan aktgjykimet nuk ishin vetëm një shprehje e emocioneve, por, sipas vlerësimit tim, në një masë të konsiderueshme, ato shërbyen si një mënyrë për të shprehur emocionet e lidhura me dinjitetin dhe luftën e drejtë për pavarësi. Dhe më lejoni të bëj edhe një vërejtje, si kujtesë: ishte Qeveria e PDK-së ajo që, në vitin 2014, vendosi për themelimin e Dhomave të Specializuara, në marrëveshje me BE-në dhe SHBA-në, ose, nëse mund ta shpreh kështu, nën presionin e tyre.
Ndërkaq, në rrethanat politike të dy viteve të fundit, për PDK-në, aktgjykimi përbënte një mundësi për të rifituar terren politik. Ajo, pa dyshim, ka llogaritur se mund ta shfrytëzonte valën e indinjatës në favor të saj, në prag të zgjedhjeve të reja. Në çdo rast, miratimi i ndryshimeve në Kuvend ishte rezultat i presionit maksimal politik ndaj deputetëve, si dhe i presionit që ishte krijuar në rrugë dhe brenda shoqërisë. Prandaj, sipas vlerësimit tim, ndryshimet ligjore kishin kryesisht për qëllim audiencën vendore, ndërsa reagimet ndërkombëtare kishin rëndësi dytësore.
Radio Kosova: Si mund të ndikojë kjo nismë në debatin politik në Kosovë për trashëgiminë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën?
Johanna Deimel: Vizitën time të parë në Kosovë e bëra në vitin 2000 dhe atëherë pashë plagët e thella që kishte lënë lufta kundër terrorit serb, ndërsa KFOR-i ishte i pranishëm kudo si garantues i sigurisë. Nga ajo kohë, Kosova kaloi një rrugë shumë të vështirë për të ndërtuar një shtet nga e para, me demokraci dhe sundim të ligjit. Një rrugëtim që, duhet thënë, Kosova e përshkoi me mjaft sukses. Pata gjithashtu privilegjin ta shoqëroja Kosovën në rrugën drejt pavarësisë në vitin 2008 dhe në vitet pasuese.
UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare kanë qenë gjithmonë të pranishme, qoftë përmes monumenteve, varrezave apo në vetë shoqërinë. Gjithashtu, ishte shumë e lavdërueshme që Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit në nëntor të vitit 2020 dhe, menjëherë pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij, u dorëzua para gjykatës në Hagë.
Megjithatë, proceset gjyqësore kanë qenë të gjata. Po flasim për më shumë se dhjetë vjet, gati njëmbëdhjetë. Dhe që nga fillimi nuk ka qenë aspak e përjashtuar mundësia që të pasonin dënime. Edhe pse nuk janë gjetur prova që mbështesin dyshimin fillestar për trafikim organesh, lista e krimeve të luftës për të cilat janë dënuar të akuzuarit është serioze dhe e rëndë.
Megjithatë, gjatë viteve të fundit, nuk ka pasur një debat të mirëfilltë politik dhe shoqëror për rolin e UÇK-së. Lufta e saj legjitime për çlirim nuk është vënë në pikëpyetje nga aktgjykimi i Hagës. Por trauma është shumë e thellë te veteranët e UÇK-së, familjet e tyre dhe viktimat. Çdo shqyrtim i ngjarjeve të dhunshme duhet të jetë në gjendje t’i trajtojë edhe anët e errëta të luftës. Dhe pikërisht këto janë ngritur tani në aktgjykimin e gjykatës, ku bëhet fjalë për krime të pretenduara individuale të luftës.
Prandaj, pyetja thelbësore është nëse Kosova mund ta nderojë luftën e saj çlirimtare si themel të shtetësisë, duke pranuar njëkohësisht mundësinë që individë të caktuar të kenë kryer krime. Politikanët dhe shoqëria duhet ta trajtojnë këtë çështje. Procesi i apelit ofron një mundësi të vonuar, por të domosdoshme, për ta bërë këtë. Do të doja të shihja një strategji të matur dhe gjithëpërfshirëse, përtej dallimeve partiake, mes qeverisë dhe opozitës për procesin e apelit. Kjo është e rëndësishme. Po aq e rëndësishme është që qytetarët të informohen në mënyrë transparente. Dhe në këtë pikë pajtohem me Fatmir Malokun: duhet të parandalohen tensionet mes Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, si dhe protestat e reja qytetare.
Radio Kosova: Si mund të ndikojnë ndryshimet e propozuara në marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian?
Johanna Deimel: Mendoj se Bashkimi Evropian, për të filluar me të, ishte shumë i qartë në deklaratën e tij. BE-ja ka paralajmëruar se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, si pjesë e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentes së re, shkelin detyrimet ndërkombëtare të vendit. Komisionarja e BE-së për Zgjerim e bëri shumë të qartë se, sipas vlerësimit të saj, ndryshimet në ligj bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ajo madje i cilësoi këto ndryshime si të papranueshme.
Sipas asaj që kuptoj, Kosova nuk mund të bëjë ndryshime thelbësore pa u konsultuar paraprakisht me Bashkimin Evropian dhe pa arritur një marrëveshje për to. Prandaj, nëse institucionet e Kosovës vënë tani në pikëpyetje pavarësinë e gjykatës, kjo mund të dëmtojë edhe besimin e partnerëve evropianë. Kjo, natyrisht, ngre edhe pyetjen nëse Kosova mund të vazhdojë afrimin e saj me Bashkimin Evropian pa u shndërruar mosmarrëveshja për Dhomat e Specializuara në një përballje të vazhdueshme me partnerët evropianë. Së fundi, ndryshimet e propozuara gjithashtu nuk ka gjasa të ndihmojnë në bindjen e pesë vendeve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, këtu e shoh situatën ndryshe. Nën udhëheqjen e Donald Trumpit, vetë SHBA-ja aktualisht po përpiqet ta çmontojë, pjesë-pjesë, Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, siç deklaroi pak ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Vërejtjet ironike të presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me nominimin e gjyqtarit Nhabiti për Çmimin Nobel për Paqe, dëshmojnë për përçmimin e tij ndaj angazhimit për të drejtat e njeriut dhe luftës kundër krimeve të luftës.
Për Donald Trumpin, Kosova do të kishte qenë me interes vetëm si një mjet për të siguruar Çmimin Nobel për Paqe. Fakti që Kosova nuk pajtohet me vendimin e gjykatës në Hagë dhe madje vë pjesërisht në pikëpyetje legjitimitetin e saj, i shkon drejtpërdrejt për shtat narrativit të Trumpit.
Këto ndryshime janë gjithashtu shumë të rrezikshme edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, një synim për të cilin Kosova kishte shprehur interesim të madh dhe që lidhej edhe me funksionalizimin e Kuvendit dhe zhvillimet e tjera institucionale. Edhe në këtë rast, çështja kryesore është besimi. Sundimi i ligjit luan një rol thelbësor për anëtarët dhe shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Për rrjedhojë, këto ndryshime e bëjnë edhe më të vështirë për Kosovën arritjen e këtij synimi.
Radio Kosova: A mund të ndikojnë përpjekjet për ndryshimin e mandatit të Dhomave të Specializuara në imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe në ambiciet e saj për integrim evropian?
Johanna Deimel: Natyrisht, kjo do të ketë ndikim, sepse Bashkimi Evropian e konsideron pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave themelore si kritere kyçe në përgatitjet për anëtarësim. Këto ndryshime paraqesin, mbi të gjitha, një problem të besueshmërisë dhe të sundimit të ligjit në procesin e afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.
Prandaj, sipas mendimit tim, çdo përpjekje për të ndryshuar mandatin mund ta dobësojë gjithashtu mbështetjen politike për hapat e mëtejshëm drejt integrimit dhe mund të hapë rrugën për vendosjen e kushteve shtesë ose për shtyrjen e procesit. BE-ja mund t’i shtojë gjithashtu kërkesat për sqarime ligjore, garanci efektive dhe respektim të detyrimeve ndërkombëtare.
Radio Kosova: Çfarë mendoni se duhet të bëjë Kosova në fazën e ardhshme, atë të apelit?
Johanna Deimel: Kosova, si shtet, duhet të gjejë një strategji, siç e thashë edhe më herët. Është e rëndësishme që, para së gjithash, të hartojë një strategji të vetën, e cila të jetë ndërpartiake, e matur dhe të përfshijë ekspertë ndërkombëtarë, por, mbi të gjitha, të zhvillojë konsultime me Bashkimin Evropian. Sepse, edhe një herë, çështja është që përmes rrugëve diplomatike dhe një qasjeje diplomatike të rikthehet besimi te shteti i Kosovës si një partner i besueshëm. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme.
Radio Kosova: A ekziston rreziku që tensionet lidhur me Dhomat e Specializuara të lënë në hije marrëdhëniet me Serbinë dhe dialogun mes dy vendeve?
Johanna Deimel: Siç e shihni, edhe dialogu me Serbinë është i ngrirë. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është pezull prej një kohe mjaft të gjatë. Natyrisht, qeveria serbe e mirëpriti aktgjykimin kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, ndërsa pala serbe mund të rikthejë edhe një herë pretendimet e saj lidhur me atë që e konsideron trajtim të pamjaftueshëm të krimeve dhe çështjeve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me mbrojtjen e komunitetit serb.
Megjithatë, Serbia tani ndodhet në një periudhë parazgjedhore dhe, për aq sa mund të vërej, Kosova sërish luan një rol në diskursin politik serb, por kryesisht në mënyrë simbolike dhe me tone nacionaliste. Aleksandar Vuçiqi dhe përkrahësit e tij kanë ngritur mundësinë që një qeveri e opozitës t’i kërkojë Kosovës të bëjë lëshime të mëtejshme. Në të vërtetë, do të thosha se ekziston mundësia që Vuçiqi të largohet nga pushteti përmes zgjedhjeve. Kjo është një mundësi, ndonëse mbetet të shihet nëse do të ndodhë. Deri më tani nuk kemi dëgjuar ndonjë qëndrim konkret të opozitës lidhur me Kosovën. Pavarësisht kësaj, mendoj se Prishtina duhet të përgatitet për mundësinë që së shpejti të përballet me udhëheqës të tjerë politikë në Beograd.
Radio Kosova: E keni fjalën për ndryshimin e klasës politike atje?
Johanna Deimel: Po, e kam fjalën për ndryshimin e qeverisë. Pra, nëse opozita arrin vërtet të marrë drejtimin, gjë që mund të ndodhë, ekziston edhe mundësia që zgjedhjet të manipulohen sërish, ndërsa pushteti të bëjë pothuajse gjithçka për ta ruajtur fitoren në zgjedhje. Por, nëse ndodh një ndryshim i qeverisë, atëherë ka të ngjarë që të keni një partner tjetër politik. Dhe ndoshta, nëse opozita fiton vërtet zgjedhjet dhe merr drejtimin e qeverisë në Beograd, mund të ketë edhe një qëndrim të ndryshëm ndaj Kosovës.
Radio Kosova: Ju jeni e njohur me sulmin e Banjskës. Këto ditë, Milan Radojçiqi, i cili është përgjegjës për këtë sulm, është parë në Serbi, në afërsi të djalit të Aleksandar Vuçiqit. Për këtë në Kosovë ka një perceptim që BE-ja është mjaft tolerante ndaj Serbisë. A nuk mendoni se BE-ja duhet të jetë më strikte në raport me Serbinë, ndaj së cilës duhet të kërkohen disa kompromise në raport me Kosovën?
Johanna Deimel: Së pari, dua të them se përshtypja që ka Kosova se po trajtohet në mënyrë të padrejtë është, në njëfarë mase, e bazuar. Kjo për shkak të masave, përkatësisht sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës, ndërkohë që Radojçiqi vazhdon të lëvizë lirshëm dhe madje është shfaqur edhe në një fushatë zgjedhore. Mendoj se bëhej fjalë për një familjar të Vuçiqit.
Megjithatë, ajo që shoh unë është se, sipas mendimit tim, ka pasur shumë më tepër tolerancë sesa duhet ndaj Serbisë. Por mendoj se Vuçiqi i ka kaluar tashmë disa vija të kuqe. Një rast i tillë ishte funerali i Radiqit, i cili shkaktoi zemërim të madh brenda Bashkimit Evropian dhe në kryeqytetet evropiane. Pastaj ishte edhe mënyra se si u trajtuan protestat dhe reagimi i dhunshëm ndaj tyre.
Ka shumë zhvillime të tjera që duhen marrë parasysh, përfshirë zgjedhjet e ardhshme, ku mund të presim manipulime zgjedhore, si dhe rënien e vazhdueshme të sundimit të ligjit dhe të demokracisë, por edhe konsolidimin gjithnjë e më të madh të një sistemi vërtet autokratik.
Edhe Serbia, më falni, ndodhet tani në një fazë kritike, sepse nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve nëse Vuçiqi i humb ato. Ai tashmë ka kërcënuar se do të ndërhyjë nëse ka trazira publike për shkak të pretendimeve se zgjedhjet janë manipuluar dhe nëse qytetarët dalin të kërkojnë llogari për këto manipulime.
Mendoj se durimi ka marrë fund. Këtë e shohim edhe në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian: paketa është pezulluar, por dyert në kryeqytetet evropiane mbeten të hapura dhe asgjë nuk është mbyllur përfundimisht. Prandaj, mendoj se Vuçiqi do të përballet tani me një reagim më të ashpër. Besoj se durimi i partnerëve evropianë ka marrë fund.
Radio Kosova: SHBA-ja e ka bërë të qartë që rikthimi te dialogu strategjik me Kosovën mund të bëhet vetëm pasi Kosova të përmbushë zotimet në raport me komunitetin serb. Si e shihni këtë?
Johanna Deimel: Çfarë mund të them? Mendoj se dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara ishte pezulluar. Natyrisht, kjo ishte e vështirë. Por ajo që ka rëndësi për Uashingtonin tani është arritja e marrëveshjeve. Megjithatë, nuk mendoj se bota duhet të funksionojë në këtë mënyrë, pra vetëm përmes marrëveshjeve.
Zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është kërkesë vetëm e Shteteve të Bashkuara, por edhe e Bashkimit Evropian. Nga këndvështrimi im, kjo çështje është edhe më e rëndësishme për Bashkimin Evropian sesa për Shtetet e Bashkuara.
Edhe për Kosovën, Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm, veçanërisht në aspektin e sigurisë. Do të shqetësohesha shumë më tepër nëse SHBA-ja do të vazhdonte të tërhiqte personelin e saj nga NATO-ja dhe, për shembull, do të tërhiqte edhe KFOR-in nga Kosova. Kjo do të përbënte një rrezik për sigurinë. /Radio Kosova/