Deco zbulon prapaskenat e interesimit të Barcelonës për Lautaro Martinez

Barcelona e kishte vendosur Lautaro Martinezin në listën e objektivave gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa drejtori sportiv i klubit katalanas, Deco, ka konfirmuar se interesimi për sulmuesin argjentinas ishte konkret.

Katalanasit e shihnin kapitenin e Interit si një alternativë të përshtatshme për repartin ofensiv, veçanërisht pas dështimit për të siguruar shërbimet e Julian Alvarezit, për të cilin Atletico Madridi nuk pranoi të negocionte.

Interi, megjithatë, nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga kapiteni i tij dhe e bëri të qartë se nuk dëshironte ta shiste. Edhe vetë Lautaro kishte deklaruar se nuk kishte menduar për largimin nga Milano.

Deco ka treguar se Barcelona kishte bërë hapa konkretë, por u tërhoq sapo mori përgjigjen e klubit italian.

“Lautaro është një lojtar spektakolar, një idhull te Interi, kapiten dhe legjendë e klubit”, ka deklaruar Deco për “Sportitalia”.

Ai ka shpjeguar edhe se si përfundoi tentativa e Barcelonës për transferimin e argjentinasit.

“Për respekt ndaj lojtarit dhe klubit, sapo na u komunikua vullneti për të mos e lejuar shitjen, ne u tërhoqëm. Gjithmonë përpiqemi t’i bëjmë gjërat në mënyrë korrekte dhe transparente. Shpeshherë mediat spekulojnë për situata të tilla”, u shpreh drejtori sportiv i Barcelonës.

Megjithatë, Deco nuk e ka fshehur admirimin për Lautaron dhe ka lënë të hapur mundësinë që emri i tij të mbetet në radarët e Barcelonës.

“Kur ishim në kërkim të një sulmuesi me karakteristikat e duhura për ne, sigurisht që Lautaro ishte në listë. Kur drejtuesit folën dhe Interi nuk pranoi transferimin, nuk vazhduam më tej. Nuk folëm as me lojtarin dhe as me agjentin e tij. E kemi kërkuar dhe na pëlqen shumë si lojtar”, përfundoi Deco. /RTKLive

Read Previous

Rama: Paqja është kusht politik që zhvillimi ekonomik e bën të mundur

Read Next

Qeveria italiane miraton ndalimin e burkës dhe nikabit në shkolla