Daka: Rekomandimi për certifikimin e kandidatëve për deputetë i pa qartë, nuk thotë asgjë

Zyra për Regjistrim dhe Certifikimin e Partive Politike në KQZ i ka rekomanduar kolegjiumit në këtë institucion të certifikoi të gjithë kandidatët për deputetë, ashtu siç kanë ardhur nga partitë politike. Mirëpo kryetarja e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), thotë se rekomandimi i tillë nuk e shpjegon se subjektet politike a i plotësojnë të gjitha kriteret.

E dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alim Rama kërkuan që të miratohet rekomandimi i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikimin e Partive Politike që të certifikohen gjithë kandidatët për deputetë që kanë ardhur nga partitë politike. Rrjedhimisht, edhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ndërsa, anëtari i LDK-së në KQZ, Sami Hamiti kërkoi të respektohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë pikë.

Daka theksoi se duhet të dërgohet dokumente dhe jo një rekomandim që nuk thotë asgjë.

“Po më duket se na tha se ke marrë përgjigje nga institucionet ë të cilat ke dërguar shkresa për verifikimin kandidatëve sepse kjo ka qenë tema që iu ka djeg të gjithëve. Verifikimi i kandidatëve është bërë nga gjashtë institucione dhe ne këtu nga ky rekomandim nuk e kemi të qartë se cilët kandidatë i plotësojnë kushtet dhe cilët jo. Kërkesa dhe zyra është ajo që e bënë filtrimin dhe e cila e dërgon rekomandimin duke u bazuar në kërkesën ligjore nga neni 29. Kërkesat janë dërguar në të gjitha institucionet relevante dhe pas marrjes së përgjigjes nga këto institucione është kërkuar nga subjektet politike që të ndërrohen apo të zëvendësohen kandidatët që nuk kanë plotësuar këto kritere. Unë kam këtu para vetes një rekomandim i cili në fakt nuk na shpjegon se a i përmbushin këta kandidatë kriteret apo jo, fatkeqësisht ne nuk e kemi të qartë nga ky rekomandim se kush i përmbush kërkesat e kush jo…kisha dashtë që neve së pari të na sillen të gjitha dokumentet sepse ne këtu nuk kemi dokumente por kemi një rekomandim që nuk na thotë asgjë, rekomandimi thotë se praktikisht të certifikohen të gjithë kandidatë”, tha Daka.

Ky reagim i Dakës erdhi pasi kryeshefi i Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike, Yll Buleshkaj në mbledhjen e sotme të KQZ-së tha se zyra nuk ka arritur me zbatu tërësisht vendimin e pikës “q” të nenin 29 të Ligjit për Zgjedhje për shkak hamedësimit të kësaj pike.

“Fillimisht kemi pas 1081 kandidatë nga 25 subjekte politike, finalja është 1075. Të gjitha subjektet politike kanë plotësuar kriteret minimale… kemi kërkuar shkresa nga institucionet e ndryshme për të na ndihmuar në vendimmarrje. Disa na kanë ndihmuar e disa na kanë bërë konfuz, ajo që vlen të theksohet është që zyra nuk ka arritur me zbatu plotësisht me vendim të pikës ‘q’ të nënti 29 për arsye të interpretimeve të ndryshme. Për atë arsye zyra iu rekomandon juve që të certifikoni ligjet ashtu siç është, ndërsa palët e interesuara nëse kanë ndonjë ankesë mund të bëjnë ankesa në institucionet e tjera për largimin e kandidatëve, nuk është hera e parë që një institucion tjetër largon kandidatë, ka ndodhur edhe më herët, nuk janë vetëm sipas pikës ‘q’ por ka edhe kur në listë të një komuniteti ka kandidatë nga një komunitet tjetër”, tha ai. /KosovaPress.

Read Previous

KE do të kërkojë sqarime nga Pfizer për shkak të vonesave të vaksinave

Read Next

​Shtyhet mbledhja e KQZ-së për certifikimin ose jo të kandidatëve për deputetë