Ministria e Financave e Banka Botërore me marrëveshje 96 milionëshe
SHBA/ Pezullohen 5 agjentë të Shërbimit Sekret

Pesë agjentë të Shërbimit Sekret Amerikan janë pezulluar nga detyra, pas atentatit që iu bë Donald Trump gjatë fushatës së tij në Pensilvani. Nga detyra janë pezulluar kreu i zyrës në terren në Pittsburgh, 3 agjentë të së njëjtës zyrë dhe një anëtar që kujdesej për detajet personale të ish-presidentit Trump.
Donald Trump u plagos në veshin e djathtë, pasi drejt tij u shkrepën disa plumba. 20-vjeçari Thomas Crooks, u ekzekutua në vend. Nga atentati mbeti i vrarë një person nga turma dhe u plagosën 2 të tjerë.
Gjermani/ Baza e NATO-s rrit sigurinë

Baza ajrore e NATO-s në Geilenkirchen të Gjermanisë ka rritur nivelin e sigurisë, pasi mori disa informacione që mund të lidhen me një kërcënim të mundshëm. Si masë paraprake e sigurisë, personeli i rëndësishëm, i cili nuk është me mision, është larguar nga baza.
“Siguria e personelit është prioriteti ynë kryesor. Operacionet vazhdojnë sipas planit”, thuhej në një deklaratë të publikuar në X. Javën e kaluar, një tjetër bazë ushtarake në Këln, u detyrua të mbyllej përkohësisht, pasi po hetohej për një sabotim të mundshëm për furnizimin me ujë.
Pakistan/ Vriten 11 policë nga persona të armatosur

Persona të armatosur kanë vrarë 11 policë, duke u zënë pritë në qarkun Rahin Yar Khan. Oficerët po patrullonin në kërkim të disa vjedhësve që vepronin në atë pjesë të vendit, por gjetën vdekjen nga sulmi i befasishëm.
Pakistani është përballur shpesh me sulme të tilla, megjithatë, vrasja e disa policëve në një sulm të vetëm është një ngjarje e pazakontë. Forcat e sigurisë në vend shpesh kryejnë operacione kundrejt banditëve, pasi ata fshihen në zona rurale e malore.
Përmbytje të shumta në Indi e Bangdalesh

Një pjesë e madhe e Indisë dhe Bangdaleshit është përmbytur, duke bllokuar kështu mijëra njerëz. Numri i të vdekurve në Bangdalesh ka shkuar në 13 dhe rreth 4.5 milionë njerëz u prekën nga këto përmbytje.
Ushtarët u kujdesën që të transportonin në mënyrë të sigurt njerëzit, përmes varkave të shpëtimit. Në Indi, më shumë se 65,000 njerëz u evakuuan, pasi pati përmbytje dhe rrëshqitje dheu.