Çfarë është Open Balkan?

Open Balkan (Ballkani i Hapur) është emri i marrëveshjes së krijuar nga kryeministri Edi Rama, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ai i Maqedonisë, Zoran Zaev, që synon heqjen e kufijve dhe burokracive mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, në përfitim të lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Të tri shtetet nënshkruan dje një marrëveshje për bashkëpunim rajonal në Forumin Ekonomik “Ballkani i Hapur”.

E njohur më herët si Mini-Shengeni Ballkanik, nisma ka nxitur debat mes vendeve të Ballkanit, ku Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina nuk janë përfshirë.

“Vendet tona po ecin në të njëjtin shteg, ndajmë të njëjtin vizion, vlerat europiane. Kjo nismë e Ballkanit të Hapur është platforma për të cilën ka nevojë rajoni” u shpreh në mbyllje të Forumit, kryeministri i RMV, Zoran Zaev.

“Më 1 janar të 2023 do të kemi mes vendeve tona zero sekonda pritje të kufi, të tjerët janë të mirëseardhur të vijnë dhe të na bashkëngjitjen. Nëse vijnë, askush si pengon. Mjaft me këtë na ftuan, s’na ftuan. Ishin në Tiranë të gjashta vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë disa duan, disa s’duan.” – u shpreh Rama i pyetur nga gazetarët për mungesën e vendeve të tjera.

E pyetur nga Euronews Albania, zyra e kryeministrit të Kosovës mohoi të ketë marrë ftesë zyrtare për Forumin.

“Për ne i ashtuquajturi “Mini Shengen” është nismë pa vizion për rajonin. Qeveria e Republikës së Kosovës u bën thirrjve qeverive të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Europian dhe marrëdhënieve transatlantike,” shkruhet në reagimin për Euronews.

/Anabelmagazine/

Read Previous

IKSHPK: Nëse nuk vaksinoheni, rriten hospitalizimet dhe vdekjet

Read Next

9 gratë që kanë ndryshuar botën me gjetjet e tyre në shkencë