Çfarë dihet për qendrën serbe që kamuflohej si OJQ?

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka zhvilluar dje aksion në zyrat e një organizate joqeveritare e vendosur në një aneks të Stacionit Policor “Qendra në Prishtinë”, ku dyshohet se janë kryer veprimtari të jashtëligjshme.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se objekti që u bastis afër Stacionit policor në Prishtinë ka qenë i një organizate joqeveritare.

Aktiviteti i organizatës “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”, sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla paraqet rrezik për sigurinë e vendit.

Ai ka thënë se të mërkurën janë informuar për aktivitet të dyshimtë të OJQ-së “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” – e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra.

“Në mëngjesin e sotëm kemi pranuar informatën mbi aktivitetin e dyshimtë të një Organizate Joqeveritare, e vendosur në një aneks të Stacionit Policor Qendra në Prishtinë. Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë ‘Centar za Mir i Toleranciju Pristina’ nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve”, ka treguar ai.

Sveçla ka thënë tutje se pas bastisjeve kanë kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je.

“Kësisoj, kemi njoftuar institucionet përkatëse të sigurisë dhe është konfirmuar se e njëjta ka veprimtari ilegale gjë e cila është vërtetuar pas hyrjes së Policisë dhe Prokurorisë brenda objektit. Një veprimtari e tillë në mes të tre institucioneve më të larta të sigurisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kryeprokurorisë dhe Policisë së Kosovës është tejet e dyshimtë dhe paraqet rrezik për sigurinë e vendit. Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, tha Sveçla.

Ndërkaq nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se dyshohet se në atë objekt ishin duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetime Rajonale në Prishtinë, është duke u realizuar bastisje në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Çfarë është “Centar za Mir i Toleranciju Pristina”?

Bazuar në të dhënat e Sistemit Elektronik të Organizatave Joqeveritare kuptohet se organizata e cila u bastis sot nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, “Centar za Mir i Toleranciju Pristina“, është themeluar nga tre persona: Sasa Ilic, Srdan Popovic, Zorica Obradovic.

Ndërkaq, adresa e saj thuhet se është në Graçanicë. Sipas SEOJQ, organizata është themeluar me tetor 2002.

Organizata e cila dyshohet se ka ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt, ka prezantuar një qëllim krejtësisht të ndryshëm në Sistemit Elektronik të Organizatave Joqeveritare.

Aty thuhet se, organizata në fjalë ka për qëllim përmirësimin e jetës shoqërore në Prishtinë dhe në pjesët tjera të Kosovës, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në aspektin social dhe përmirësimin e ekonomisë përmes ndërmarrjeve të vogla. /Reporteri.net/

Read Previous

Sot hyn në fuqi rregullorja e BQK-së mbi pagesat me para të gatshme

Read Next

OBSH: Popullsia e Gazës po vdes nga uria