Certifikimi i rezultateve zgjedhore, Cakolli tregon afatet kushtetuese

Eugen Cakolli nga KDI, ka shkruar në lidhje me rrjedhjen e afateve kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja që fillojnë nesër, pasi sot janë certifikuar rezultatet nga KQZ. Cakolli ka thënë se afati 30-ditor për mbajtjen e seancës konstituice të Kuvendit fillon nesër, më 9 korrik dhe përfundon më 7 gusht 2026.

“Seanca duhet të thirret nga Albulena Haxhiu, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes. Nëse kjo nuk ndodh brenda afatit, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e tridhjetë. Para seancës, Albulena Haxhiu, në cilësinë e Kryetares së legjislaturës paraprake, duhet ta thërrasë mbledhjen përgatitore me kryetarët e 15 subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend. Kjo mbledhje mbahet jo më vonë se pesë ditë para seancës konstituive dhe shërben për përgatitjen e rendit të ditës dhe caktimin e vendeve ku do të ulen deputetët në sallë, sipas subjekteve politike”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka thënë se seancën konstituive deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, do ta drejtoj deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Vetëvendosje, i ndihmuar nga deputetja më e re, Fatma Taçi nga KDTP.

“Rendi i punës është veçse i paracaktuar. Fillimisht formohet Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve, raporti i të cilit votohet me shumicë votash; pastaj bëhet betimi i deputetëve; më pas votohet Kryetari i Kuvendit dhe, në fund, nënkryetarët e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit propozohet nga LVV, si subjekti më i madh parlamentar, dhe zgjidhet me së paku 61 vota. Nëse i njëjti kandidat nuk i merr votat pas tri tentimeve, duhet të propozohet kandidat tjetër. Votimi për Kryetarin duhet të jetë i hapur, përveç nëse ka konsensus për ndryshim të mënyrës së votimit”, ka shkruar Cakolli.

Ai ka thënë se pas zgjedhjes së kryetari, Kuvendi vazhdon me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve.

“Tre propozohen nga tri subjektet më të mëdha parlamentare, LVV, PDK dhe LDK. Një propozohet nga deputetët e komunitetit serb, përkatësisht nga LS, ndërsa një nga deputetët e komuniteteve të tjera jo-shumicë. Të gjithë zgjidhen me së paku 61 vota. Parimisht, nënkryetarët duhet të votohen në pako. Së paku tre nënkryetarët e propozuar nga subjektet më të mëdha parlamentare mund të votohen në një votim, ndërsa dy nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë në një votim tjetër. Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pasi të jenë zgjedhur Kryetari dhe të pesë nënkryetarët”, ka shtuar Cakolli.

Ai gjithashtu ka thënë se vetëm pas konstituimit të plotë të Kuvendit hapen dy procedura të ndara kushtetuese, ajo për formimin e Qeverisë dhe ajo për zgjedhjen e Presidentit.

“Këto procedura nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën dhe as Kushtetuta, as aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kushtëzojnë formimin e Qeverisë me zgjedhjen paraprake të Presidentit”, ka shtuar Cakolli ndër të tjera.

KQZ ka certifikuar sot rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së Presidentit.

Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën pasi Kuvendi i Kosovës dështoi ta zgjedh Presidentin./reporteri

Read Previous

Certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, nis afati për formim të institucioneve

Read Next

Trump urdhëron ndërprerjen e tregtisë së SHBA-së me Spanjën