Casemiro: Më në fund luaj përkrah Messit

Casemiro ka deklaruar se një nga ëndrrat më të mëdha të karrierës së tij ka qenë të luajë përkrah Lionel Messit, teksa tashmë është bërë pjesë e Inter Miamit dhe synon ta ndihmojë yllin argjentinas të fitojë trofe të tjerë me klubin amerikan.

Gjatë prezantimit si futbollist i ri i Inter Miamit, mesfushori brazilian tha se gjithmonë ka dëshiruar të luajë me lojtarët më të mirë në botë. “Gjithmonë dua të jem me më të mirët. Ëndërroja çdo ditë të isha me të dhe të luaja përkrah tij. E di që është e pamundur ta ndalosh, dhe kurrë nuk arrita ta ndaloj, gjithmonë kam pasur nevojë për ndihmën e bashkëlojtarëve”, deklaroi Casemiro.

Ai shtoi se të luajë me Messin është realizim i një ëndrre. “Të gjithë lojtarët ëndërrojnë të luajnë me një nga lojtarët më të mirë në histori, dhe unë po jetoj një ëndërr. Dua ta shijoj dhe ta ndihmoj atë të vazhdojë të fitojë”, u shpreh braziliani.

34-vjeçari iu bashkua Inter Miamit pasi kontrata e tij me Manchester United skadoi gjatë verës. Ai debutoi si titullar fundjavën e kaluar në fitoren 1:0 ndaj Montrealit dhe theksoi se kishte qenë i vendosur që, nëse do të transferohej në MLS, destinacioni i vetëm do të ishte Inter Miami.

Para transferimit në Shtetet e Bashkuara, Casemiro bëri të ditur se kishte biseduar me disa futbollistë, mes tyre edhe bashkëkombësin e tij Kaka, i cili kishte luajtur për Orlando City.

Ardhja e Casemiros pritet të forcojë repartin defensiv të Inter Miamit, i cili ka shfaqur dobësi në mbrojtje gjatë sezoneve të fundit. Pas largimit të Sergio Busquets në fund të edicionit të kaluar, skuadra nga Florida ka pasur nevojë për më shumë ekuilibër në mesfushë, ndërsa deri tani është mbështetur kryesisht në forcën sulmuese të udhëhequr nga Lionel Messi.

Inter Miami aktualisht mban trofeun e Kupës së Ligës dhe renditet në vendin e dytë në Konferencën Lindore me 37 pikë, dy më pak se Nashville, ndërsa javën e ardhshme nis mbrojtjen e trofeut në këtë garë, të cilin e fitoi për herë të parë në vitin 2023. /KosovaPress/

Read Previous

Senati amerikan hap rrugën për votimin e Eric Wendt si ambasador i ri në Shqipëri

Read Next

​KOMF: Institucionet parashkollore të zbatojnë me rigorozitet kërkesat për vaksinim