BQK dhe Banka Botërore hartojnë strategji për edukimin financiar

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka pritur ekspertë të lartë të Bankës Botërore, me të cilët ka diskutuar për hartimin e Dokumentit Strategjik të Edukimit Financiar për Qëndrueshmëri Financiare.

Sipas BQK-së, dokumenti synon të koordinojë dhe fuqizojë iniciativat për edukimin dhe shëndetin financiar, në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të BQK-së.

Guvernatori Ismaili ka falënderuar Bankën Botërore për mbështetjen dhe ekspertizën, duke theksuar nevojën për një strategji gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila, sipas tij, duhet të shkojë përtej edukimit financiar tradicional.

Ai ka thënë se synimi është fuqizimi i përdoruesve të shërbimeve financiare përmes rritjes së njohurive, praktikave të shëndosha financiare dhe ndërgjegjësimit për rreziqet, përfshirë ato kibernetike.

Ismaili ka vënë theks edhe në bashkërendimin e kësaj strategjie me nismat e ardhshme që lidhen me infrastrukturën financiare, inovacionin dhe gjithëpërfshirjen financiare.

Sipas tij, këto fusha janë të rëndësishme për avancimin e qasjes në financa, fuqizimin e konsumatorëve dhe zhvillimin e një ekosistemi financiar më gjithëpërfshirës.

Procesi i hartimit të strategjisë do të udhëhiqet nga BQK-ja dhe do të përfshijë konsultime me institucionet publike, sektorin financiar, institucionet akademike, partnerët ndërkombëtarë dhe palët e tjera të interesit.

BQK-ja synon që përmes kësaj strategjie të mbështesë qytetarët, si dhe bizneset mikro dhe të vogla, në marrjen e vendimeve më të informuara financiare.

Gjithashtu, sipas njoftimit, strategjia synon forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe kontributin në krijimin e një sistemi financiar më të qëndrueshëm, transparent, të besueshëm dhe më të qasshëm për të gjithë. /RTKLive

Read Previous

Policia zbulon arsenal armësh në Pejë, FSK-ja i tërheq për shkatërrim

Read Next

Gary Lineker tregon pse refuzoi të punonte për FIFA-n