Begaj i uron për fillimin e Vitit të Ri ushtarët shqiptarë që shërbejnë larg familjeve të tyre

President i Shqipërisë Bajram Begaj, i ka uruar të gjithë ushtarët shqiptarë që shërbejnë në misione ndërkombëtare me rastin e fillimit të vitit të ri 2023.

Begaj me anë të një bisede telefonike shprehu vlerësimin e tij për ushtarakët që me rastin e Vitit të Ri ndodhen larg familjeve të tyre, duke shërbyer nga Kosova në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Irak dhe deri në Sudanin e Jugut.

“Shërbimi juaj përkrah aleatëve është një shërbim që përshkohet nga sakrificat, përkushtimi, përgjegjshmëria dhe disiplina e lartë që karakterizon Forcat e Armatosura”, tha Begaj.

I pari i shtetit shqiptar theksoi se viti 2022 ishte një vit shumë i vështirë, ku agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës rrezikoi paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e saj ndihen në jetën e çdo qytetari.

Ai theksoi se ky konflikt ka dëshmuar rëndësinë, forcën dhe kompaktësinë e aleancës, e cila është e aftë të mbrojë çdo centimetër të saj dhe vendeve anëtare.

Begaj shtoi Shqipëria si anëtarë e NATO-s do të vazhdojë të jap kontributin e saj,

‘Si anëtare e NATO-s, vendi ynë do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë aktive në misione dhe operacionë të drejtuara nga NATO si dhe do të rrisim kontributet tona aty ku do të jetë e nevojshme dhe do të na kërkohet”, shtoi Begaj.

“Këto ditë kam ndjekur me shqetësim ngjarjet në veri të Kosovës. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s është e përkushtuar dhe mbështet misionin e KFOR, që ne e cilësojmë si një histori suksesi. Unë ju falenderoj ju kontigjent që jeni atje, për të gjithë përkushtimin e treguar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”, theksoi ai.

“Forcat e Armatosura janë shumë të rëndësishme për një vend dhe unë sot nëpërmjet jush gjej rastin të falënderoj të gjitha Forcat e Armatosura shqiptare për përkushtimin e treguar në përmbushjen e çdo detyre kushtetuese, por edhe në përballimin e atyre situatave të cilat kanë qenë jo të pakta gjatë vitit, si emergjencat e ndryshme,” shtoi më tej Presidenti.

“Për mua, ju jeni aseti më i çmuar i Forcave të Armatosura. Mund të marrim pajisje mjaft të mira teknologjike, por nëse nuk kemi njerëz për t’i përdorur ato nuk kemi bërë asgjë. Me këtë rast edhe njëherë ju uroj festa të gëzuara, shëndet e mbaresi për ju dhe familjet e juaja. Gëzuar Vitin e Ri 2023, shumë faleminderit për shërbimin që i bëni kombit”, e mbylli falënderimin presidenti Begaj.

Read Previous

Saime Kabashi, rrobaqepësja që punon veshjet tona kombëtare

Read Next

Itali: Zjarr në një qendër të miturve, vdes 17-vjeçari shqiptar