Banorët e rrugës “Lekë Dukagjini”, probleme me ndriçimin publik nga tetori 2025
“Për pyetje mbi pjesëmarrjen në darkën informale të organizuar nga Greqia, do t’ju referonim te Greqia si mikpritëse”.
Kështu ka zgjedhur të mos komentojnë strukturat e larta evropiane mbi faktin se pse në darkën e Athinës nuk u ftua Edi Rama, si Kryeministër i Shqipërisë dhe si politik më i lartë në vend, por Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili për shkak të agjendës tjetër nuk e pranoi ftesën e Kyriakos Mitsotakis.
Në një përgjigje të dhënë për Albanian Post, Komisioni Evropian në fakt nuk ka komentuar mbi asnjë prej çështjeve të pyetura, duke përfshirë edhe mënyrën se si hierarkia e lartë evropiane e pa mungesën e Shqipërisë në këtë darkë informale, apo përfshirjen e kërkuar nga Greqia në çështjen e Fredi Belerit.
Pikërisht kjo e fundit (marrë parasysh faktin se Beleri prej muajsh gjendet i burgosur nën akuzën e shitblerjes së votave në zgjedhjet e 14 majit), ka qenë edhe “molla e sherrit” që e shtyu sa duket kryeministrin grek, të mos e shihte të arsyeshme të ftonte homologun e tij shqiptar.
Në një tryezë ndërkaq, ku të pranishëm ishin liderët më të rëndësishëm rajonalë, prej presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, atij malazez, Jakov MIlatoviç, kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviç, atij kosovar, Albin Kurti, maqedonas, Dimitr Kovaçevski, apo për të mos u përmendur fakti se i pranishëm ishte edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në fakt, i gjithë organizimi nën tutelën e Greqisë, më shumë bënte sens mbi agjendën e këtij të fundit, se sa në atë rajonale ballkanike për integrimin e rajonit.
Garancitë greke për Kievin, si edhe një takim kokë më kokë mes Zelenskyt dhe Vuçiçit, ishin në fakt lajmet kryesore të dala prej mbrëmjes athinase, përtej mungesës së madhe të Shqipërisë.
Vetë Rama, komentoi pas darkës se ai nuk donte të shqetësonte mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se “miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre”.
Ai në fakt u tregua i lumtur që kryeministri grek mori iniciativën për të “thyer bukën” me liderët shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus.
“Rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët. Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se vendi i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE”, do të përkufizonte Rama në një publikim në mediat e tija sociale.
Mirëpo, edhe kreut të Qeverisë shqiptare, nuk i ka pëlqyer fakti se e gjithë mbrëmja, u përdor edhe si një mjet “për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës”.
Greqia në fakt është pionierja ballkanike e integrimit në BE dhe si e tillë, ka mbi shpatulla pa diskutim përgjegjësinë e afrimit të rajonit me bashkësinë evropiane dhe kontributin, duhet ta shfaqë qartë në çdo çast.
Megjithatë, mëritë e vjetëruara të nacionalizimit me bazë etnike duken të pazhdukura dhe ashtu si ujërat territoriale mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndodhen në udhëkryq në Gjykatë tashmë, edhe raportet, janë rifutur në qorrsokaqe të reja, pas një periudhe të angazhimit të lartë të dy kryeministrave për të folur, bashkëpunuar dhe punuar rreth integrimit të rajonit në BE. /Albanianpost.com