BE: Nga 1 janari 2023, Kroacia zyrtarizon euron si monedhën e saj

Kroacia do të miratojë monedhën euro nga fillimi i vitit 2023, pasi të ketë përmbushur të gjitha kriteret për t’u bashkuar me eurozonën, njoftoi të mërkurën Komisioni Evropian.

Ky ndryshim do ta bëjë Kroacinë vendin e 20-të evropian që përdor monedhën e përbashkët.

“Sot, Kroacia ka bërë një hap të rëndësishëm drejt adoptimit të euros, monedhës sonë të përbashkët,” tha në një deklaratë presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Bashkimi me monedhën e përbashkët “do ta bëjë ekonominë e Kroacisë më të fortë, duke sjellë përfitime për qytetarët e saj, bizneset dhe shoqërinë në përgjithësi.”

Ndryshimi i planifikuar i vendit ballkanik nga monedha e tij, kuna, në euro do të vijë më pak se një dekadë pasi ai u bashkua me Bashkimin Evropian.

Parlamenti Evropian, si dhe 27 vendet anëtare të bllokut, duhet ende të miratojnë vlerësimet e komisionit. Një vendim përfundimtar mund të merret që në korrik.

Kroacia më pas do të planifikojë të zëvendësojë kunën me euron nga 1 janari. Bullgaria është vendi i radhës që kërkon t’i bashkohet eurozonës, një objektiv që shpreson ta arrijë deri në janar 2024. Megjithatë, anëtarët e eurozonës kanë shprehur shqetësime për stabilitetin afatgjatë të ekonomisë bullgare./Alsat.mk/

Read Previous

Zelensky: Mbi 200 mijë fëmijë ukrainas janë deportuar në Rusi

Read Next

Pronari i Milanit, kërkon lokalitetin e përshtatshëm për stadiumin e ri