BE-ja ngre alarmin për kërkesat e larta për azil nga vendet “e sigurta”

Fillimi i vitit ka parë një numër të lartë institucionesh të Bashkimit Evropian që kanë ngritur alarmin për migrimin e paligjshëm dhe shfrytëzimin e një sistemi të tensionuar të azilit.

Kjo vjen pasi kreu i Frontex-it u tha eurodeputetëve të hënën, më 30 janar, se agjencia, përgjegjëse për kontrollin kufitar të zonës Shengen të BE-së, do të kërkojë 100 milionë euro për “veprimtaritë e lidhura me kthimin” këtë vit.

Krerët e BE-së do të mblidhen për një takim të posaçëm të Këshillit Evropian në datat  9-10 shkurt pikërisht për të diskutuar mbi këtë temë.

Komisioni Evropian ka vënë në dukje se në vitin 2022, kishte 923 mijë e 911 kërkesa për azil në BE, një rritje prej 46,5 % që nga viti 2021.

Kjo shifër përjashton mbi katër milionë refugjatë ukrainas që aplikojnë përmes një procedure të veçantë të njohur si “Direktiva e Mbrojtjes së Përkohshme”.

Ndërsa numri më i madh i aplikantëve është nga Siria, një numër i konsiderueshëm po mbërrijnë nga vende që konsiderohen të sigurta, veçanërisht nga vendet që aktualisht aplikojnë për anëtarësim në BE, si Shqipëria, Turqia dhe Gjeorgjia.

Nga 630 mijë e 890 aplikantë për azil në vitin 2021, vendet e BE-së vendosën të kthejnë 340 mijë e 500, por nga këta, vetëm 21 % u kthyen në vendet e tyre të origjinës.

Sistemi i azilit dhe imigracionit i Evropës mund të jetë në pikën e thyerjes.

Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Ylva Johannson, ka thënë se mbi 60 % e aplikimeve aktuale tani janë të detyruara të refuzohen.

Duke folur nga një takimi i mbajtur në Stokholm për këtë çështje ajo theksoi se ka tre herë më shumë kërkesa për azil sesa ardhje të parregullta dhe këto po mbingarkojnë kapacitetet pritëse.

Të dhënat e publikuara së fundmi nga Frontex, i cili deklaroi se në vitin 2022, kishte 330 mijë kalime të paligjshme, vërtetojnë se kërkesat për azil janë në nivelet më të larta që nga viti 2016.

Takimi diskutoi gjithashtu nevojën për të kufizuar vizat për vendet që refuzuan të respektojnë kthimet. Kjo vjen si pjesë e një kthese graduale të politikës së migracionit dhe refugjatëve nga BE.

Që nga përgjigjet fillestare të vitit 2015, të cilat kërkonin të mirëprisnin botën, dështimet e shumta të kësaj politike janë bërë të dukshme për lidershipin evropian.

Shfrytëzimi i statusit të refugjatit dhe azilit nga migrantët ekonomikë po krijon tani një problem gjithnjë e më të pashmangshëm për institucionet.

Presioni në rritje i partive nacionaliste dhe konservatore në vendet e BE-së po i detyron ata që të lëvizin.

/Albanianpost.com

Read Previous

Blinken shtyn vizitën në Kinë pas ‘balonës përgjuese’ mbi qiellin e SHBA-së

Read Next

Inter – Milan: Statistika, analizë, formacionet e mundshme