BE dhe India drejt “marrëveshjes së të gjitha marrëveshjeve”

India dhe Bashkimi Evropian pritet të përmbyllin një nga marrëveshjet më të mëdha tregtare të dekadave të fundit, ndërsa pasiguria globale e shkaktuar nga politikat tarifore të presidentit amerikan Donald Trump po shtyn të dyja palët drejt një aleance më të fortë ekonomike.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Luís Santos da Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të jenë të ftuarit kryesorë në festimet e Ditës së Republikës së Indisë javën e ardhshme. Përtej ceremonive shtetërore, fokusi kryesor i vizitës do të jetë përshpejtimi i negociatave për marrëveshjen e tregtisë së lirë mes BE-së dhe Indisë.

Takimi vjen në një moment delikat për Evropën, pas kërcënimeve të Trump për përshkallëzim të luftës tregtare me aleatët evropianë, për shkak të kundërshtimit të tyre ndaj një marrjeje nën kontroll të Groenlandës nga SHBA, përpara se Washingtoni të tërhiqej pjesërisht.

Zgjedhja e udhëheqësve evropianë si të ftuar nderi dërgon një mesazh të qartë diplomatik nga Nju Delhi: India po përshpejton lidhjet strategjike dhe tregtare me pjesën tjetër të botës, ndërsa bllokimi mbi tarifat 50% të vendosura nga SHBA ndaj Indisë po zvarritet në vitin e ri.

“Kjo dërgon sinjalin se India ndjek një politikë të jashtme të diversifikuar dhe nuk është e varur nga tekat e administratës Trump”, vlerëson Chietigj Bajpaee nga instituti Chatham House.

Sipas disa burimeve, marrëveshja mund të shpallet që më 27 janar, gjatë një samiti të nivelit të lartë. Si Ursula von der Leyen, ashtu edhe ministri indian i Tregtisë, Piyush Goyal, e kanë quajtur atë “nëna e të gjitha marrëveshjeve”, duke reflektuar peshën strategjike të negociatave që po shkojnë drejt fundit pas gati dy dekadash diskutimesh të ndërprera.

Pakti do të jetë marrëveshja e nëntë e tregtisë së lirë për Indinë në vetëm katër vjet, pas marrëveshjeve me Mbretërinë e Bashkuar, Omanin, Zelandën e Re dhe vende të tjera. Për Brukselin, kjo vjen pas marrëveshjeve të fundit me Mercosur-in, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Vietnamin.

Sipas analistëve, të dyja palët po kërkojnë partnerë tregtarë më të besueshëm, në një mjedis global gjithnjë e më të trazuar nga tensionet gjeopolitike. India synon të zbusë goditjen nga tarifat amerikane, ndërsa BE-ja të reduktojë varësinë nga Kina, të cilën e sheh gjithnjë e më të pasigurt.

India, ekonomia e katërt më e madhe në botë dhe me rritjen më të shpejtë ndër ekonomitë kryesore, pritet të kalojë kufirin e 4 trilionë dollarëve në PBB këtë vit, duke lënë pas Japoninë. Sipas von der Leyen, një treg i përbashkët BE-Indi do të përfshinte rreth dy miliardë njerëz dhe një të katërtën e PBB-së globale.

Për Indinë, BE-ja është tashmë partneri më i madh tregtar. Marrëveshja do të rikthente edhe përfitimet e Sistemit të Përgjithësuar të Preferencave (GSP), të cilat u hoqën në vitin 2023, duke dëmtuar konkurrueshmërinë e shumë produkteve indiane në tregun evropian.

Një marrëveshje e tregtisë së lirë do të ulte tarifat për eksporte kyçe si veshjet, produktet farmaceutike, çeliku, derivatet e naftës dhe makineritë, duke ndihmuar kompanitë indiane të përballojnë më mirë presionin nga tarifat amerikane.

Megjithatë, ndarje të thella mbeten. Evropa kërkon standarde më të forta për mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe të dhënave, ndërsa India kundërshton mekanizmin e ri evropian të taksës së karbonit (CBAM), i cili sipas New Delhit vepron si një tarifë e fshehtë kufitare dhe godet veçanërisht bizneset e vogla dhe të mesme.

Analistët theksojnë se rëndësia gjeopolitike e marrëveshjes është po aq e madhe sa përmbajtja ekonomike e saj. Në afatgjatë, ajo shihet si një hap drejt shkëputjes graduale nga varësia tregtare ndaj SHBA-ve dhe Kinës, duke reduktuar ekspozimin ndaj tarifave të paparashikueshme dhe përdorimit të zinxhirëve të furnizimit si armë politike.

Sipas ekspertëve, tensionet politike mes BE-së dhe SHBA-ve që nga fillimi i vitit 2026 e bëjnë Brukselin më të hapur ndaj kësaj marrëveshjeje sesa do të ishte në rrethana të tjera, duke rritur gjasat që ajo të kalojë edhe filtrin e Parlamentit Evropian. /Albanianpost.com

Read Previous

Arteta: Askush nuk ka më shumë uri për të fituar Premier Ligën me Arsenalin sesa unë

Read Next

Lumenjtë e fundit të egër të Evropës po pakësohen me shpejtësi