Asani: Ndoshta këpucët e mia të futbollit janë më të famshme se unë

Kanë bërë bujë këpucët e futbollit që Jasir Asani i kishte mbathur në ndeshjen e Shqipërisë me Kroacinë. Ndeshja kishte përfunduar 2:2, ndërsa Asani bëri asistimin te goli i parë i shënuar nga Qazim Laçi.

Sulmuesi i krahut u paraqit me këpucë futbolli me vizatime të “Super Marios”. Dhe për këpucët e tij të veçanta kanë shkruar mediume të fuqishme ndërkombëtare e më pas media në shumë vende të botës. 

Sajti zyrtar i UEFA-s ka publikuar një deklaratë të Asanit lidhur me këpucët e tij të futbollit.

“Këto këpucë futbolli i kam bërë gjashtë apo shtatë muaj më parë, por i kam ruajtur për një rast të veçantë. Nuk i kam përdorur ndaj Italisë, kështu që vendosa të paraqitem me to ndaj Kroacisë. Kam dëshiruar një dizajn qesharak kështu që vendosa për Super Mario. Ndoshta këpucët e mia janë më të famshme se unë në Euro 2024”, ka thënë Asani.

Shqipëria po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e fundit në Grupin B, ndaj Spanjës. Ndeshja zhvillohet të hënën nga ora 21:00 në Duesseldorf. 

Shqipërisë i duhet fitorja për të shpresuar në kalim tutje, që do të ishte sukses historik. Spanja ka fituar dy ndeshjet e para në grup, ndaj Kroacisë dhe Italisë, dhe tashmë është e kualifikuar. Ka pasur raportime që Spanja mund të pushojë lojtarët kryesorë.

Te Shqipëria janë shprehur optimistë, ndonëse janë të vetëdijshëm  që Spanja ka shfaqur futbollin më të mirë deri më tani në Evropianin në Gjermani.

“Ne e kemi analizuar dhe e kemi studiuar Spanjën. Nuk kemi se çka të humbim, kështu që do të mundohemi të shfaqim më të mirën dhe të marrim tri pikë ndonëse kjo do të jetë shumë vështirë. Nëse kemi pak fat, mund t’ia dalim”, ka shtuar Asani.

Ai thotë se ndeshjet e deritashme me Italinë e Kroacinë do t’i shërbejnë shumë Kombëtares.

Shqipëria për herë të dytë po paraqitet në Evropian.

“Kemi luajtur ndaj dy rivaleve të forta, Italisë dhe Kroacisë. Të dyja luajnë  futboll të nivelit të lartë, ndërsa edhe Spanja ka cilësi të jashtëzakonshme. Kemi mësuar shumë si ekip në Euro 2024. Janë ndeshje që mund të përmirësojnë si lojtarë”, ka theksuar 29-vjeçari.

Ai është i padiskutueshëm në përbërjen bazë të Sylvinhos. Ende është pjesë e skuadrës nga Koreja e Jugut, Gwangju. Por pas Evropianit pritet transferimi i tij zyrtar te Las Palmas në Spanjë./Koha.net

Read Previous

Qorrolli: Institucionet e BE-së duhet të dërgojnë draftin e Asociacionit në Komision të Venecias

Read Next

Familja amerikane kërkon 80 mijë dollarë dëmshpërblim nga NASA