Arsène Wenger vlerëson FFK-në për “FIFA Talent Academy Kosova”
Federata e Futbollit e Kosovës ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga Arsène Wenger, Shef i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, në lidhje me themelimin e “FIFA Talent Academy Kosova”.
Në letrën drejtuar drejtuesve të FFK-së, Wenger ka shprehur mirënjohjen e FIFA-s për përkushtimin dhe bashkëpunimin e treguar nga federata gjatë përgatitjeve për këtë nismë të rëndësishme për zhvillimin e talenteve të futbollit në Kosovë.
Wenger ka vlerësuar veçanërisht organizimin e eventit të mbajtur në Prishtinë, duke e cilësuar atë si një moment historik dhe dëshmi të profesionalizmit, përsosmërisë organizative dhe pasionit të FFK-së për zhvillimin e futbollit.
Sipas tij, mbështetja dhe burimet e ofruara nga FFK-ja, si dhe harmonizimi i procesit me standardet e FIFA-s, kanë qenë thelbësore për avancimin e kësaj nisme.
Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA ka theksuar gjithashtu se kjo nismë e vendos Kosovën në një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe kultivimin e talenteve të rinj, duke e cilësuar atë si një shembull edhe për vendet e tjera.
“Me kënaqësi presim që ta forcojmë edhe më tej partneritetin tonë, ndërsa ecim përpara në këtë kapitull të ri dhe emocionues. Së bashku, mund të vazhdojmë të ndërtojmë një trashëgimi të qëndrueshme për futbollin në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në letrën e Wengerit.
Në fund, ai ka falënderuar FFK-në për kontributin dhe përkushtimin për t’i dhënë çdo talenti në Kosovë një mundësi për zhvillim. /tvsyrivision/