Shoqata Zvicerane e Qyteteve bën thirrje për përgjigje mbarëkombëtare ndaj ndryshimeve klimatike
Një person është arrestuar në Gjakovë pasi dyshohet se ka tentuar t’u japë 50 euro zyrtarëve policorë, me qëllim shmangien e masës për një kundërvajtje në trafik.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur rreth orës 03:20 të 17 gushtit, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë.
Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë ka ndërmarrë veprime hetimore pas informatave të pranuara nga Stacioni Policor në Gjakovë, lidhur me dyshimin për rastin “dhënie ryshfeti”.
“Një person i dyshuar se kishte kryer kundërvajtje në trafik, gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë ka tentuar t’u japë një kartëmonedhë prej 50 eurosh, me qëllim shmangien e shqiptimit të masës për kundërvajtjen”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas Policisë, edhe pas paralajmërimit se një veprim i tillë është i kundërligjshëm, i dyshuari ka insistuar në dhënien e parave dhe më pas është arrestuar.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Kartëmonedha prej 50 eurosh është sekuestruar si provë, ndërsa rasti pritet t’i përcillet Prokurorisë për procedim të mëtejmë.
Policia e Kosovës ka rikonfirmuar se korrupsioni dhe ryshfeti janë të kundërligjshme dhe se zyrtarët policorë do të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme ndaj çdo tentative për ndikim të paligjshëm.
Rasti vazhdon të hetohet nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/