OpenAI po shqyrton “ngadalësimin” e zhvillimit të inteligjencës artificiale të avancuar
Arabia Saudite ka mbyllur një tubacion të rëndësishëm të naftës, pasi u sulmua me dronë të nisur nga Iraku, në një tjetër përshkallëzim të konfliktit në Lindjen e Mesme.
Iraku ka shkarkuar nga detyra një komandant ushtarak dhe ka nisur hetime, pasi pranoi se sulmi me dronë ndaj tubacionit “East-West” të Arabisë Saudite ishte nisur nga një prej provincave të tij në kufi me Iranin.
Tubacioni, i gjatë rreth 1,200 kilometra, i ka mundësuar Arabisë Saudite – eksportuesit më të madh të naftës bruto në botë – të shmangë ngushticën e Hormuzit për transportin e naftës.
Riadi njoftoi të premten se e ka mbyllur tubacionin si masë paraprake. Imazhet satelitore kanë treguar gjurmë të djegies dhe tym pranë vendit të sulmit.
Ministria e Jashtme saudite ka thënë se nga sulmi ka pasur disa persona të lënduar dhe dëme materiale, ndërsa vlerësimi i plotë i dëmeve është ende duke u bërë.
Sipas Reuters, duke cituar kompani të gjurmimit të anijeve dhe analistë, tubacioni ka transportuar rreth 4 deri në 5 për qind të furnizimit global me naftë.
Arabia Saudite, për momentin, ka zgjedhur të mos hakmerret ndaj Irakut, pas një thirrjeje të kryeministrit irakian për të shmangur përshkallëzimin e situatës.