Ambasada e Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe u ka rikujtuar shtetasve kosovarë se ndalohet rreptësisht fotografimi, incizimi apo shpërndarja e pamjeve dhe informacioneve nga vendet ku ndodhin incidente të lidhura me raketa apo dronë, si dhe publikimi i vendndodhjeve të këtyre incidenteve në rrjete sociale apo platforma të tjera, shkruan Reporteri.net.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se autoritetet atje zbatojnë masa të rrepta ligjore, përfshirë edhe dënime me burg dhe deportim të shoqëruar me ndalim të rikthimit në vend.
Masat tjera përfshijnë gjoba të larta financiare dhe konfiskim të pajisjeve elektronike.
Aty theksohet se njoftimi vlen qoftë për vizitorët ashtu edhe për banorët rezidentë.
“Ambasada u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të respektojnë me përpikëri ligjet dhe rregullat në fuqi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik në vendin ku jetojnë dhe veprojnë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net
