Alvarez u kërkon falje tifozëve të Atleticos

Julian Alvarez ka kërkuar falje publike ndaj tifozëve të Atletico Madridit për deklaratat e bëra gjatë verës, kur kërkonte largimin drejt Barcelonës, por transferimi i tij u bllokua nga klubi spanjoll.

Sulmuesi argjentinas duket se po kalon një periudhë më të mirë në aspektin individual, pasi ka shënuar në dy ndeshjet e fundit, ndaj Stuttgartit dhe Deportivo La Corunas, duke treguar paraqitje të mira në fushë.

Pas ndeshjes së fundit, Alvarez ka pranuar se fjalët e tij i kanë zemëruar tifozët dhe ka theksuar se e kupton reagimin e tyre.

“Doja t’u kërkoja falje tifozëve tanë për fjalët e mia gjatë Kupës së Botës. Ishin një gabim, si mënyra se si i thashë, ashtu edhe koha. E kuptoj pse tifozët ishin të zemëruar. Edhe unë do të isha i zemëruar po të isha në vendin e tyre”, u shpreh Alvarez për Movistar.

Ai gjithashtu falënderoi tifozët për mbështetjen dhe bashkëlojtarët për përkrahjen gjatë kësaj periudhe të vështirë.

“Po ndihem gradualisht më mirë. Jam mirënjohës ndaj të gjithë shokëve të ekipit, sepse më kanë mbështetur. Po punoj për t’u përmirësuar dhe jam ndjerë më mirë në ndeshjet e fundit, si fizikisht, ashtu edhe me topin”, deklaroi argjentinasi.

Alvarez shtoi se gjendja e tij jashtë fushës ndikon edhe në paraqitjet sportive, duke theksuar se aktualisht ndihet mirë dhe është i gatshëm të luftojë për objektivat e skuadrës.

“Shpresoj që, përmes punës së palodhur dhe përulësisë, ta ndryshoj këtë situatë”, përfundoi ai.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Arabia Saudite rihap aeroportin kryesor pas sulmeve vdekjeprurëse

Read Next

Kryediplomati Hoxha thirrje shqiptarëve të Luginës