Aksident tragjik në Gjermani, treni godet për vdekje dy mërgimtarë nga Kosova

Dy mërgimtarë nga Kosova kanë humbur jetën tragjikisht të premten mbrëma në Wiesbaden të Gjermanisë.

Leutrim Hyseni 31 vjeç dhe Admir Seta 40 vjeç, janë goditur nga treni teksa kanë qenë duke e kaluar hekurudhën.

Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata Humanitare Dardania Wiesbaden, e cila me këtë rast u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve që duan të ndihmojnë familjet e viktimave, se këtë mund ta bëjnë deri nesër në orën 18:00.

Për aksidentin ka shkruar edhe gazeta gjermane Wiesbadenaktuell.de, e cila ka njoftuar se sipas hetimeve policore, 31 dhe 40-vjeçari e kanë anashkaluar trenin që po afrohej rreth orës 18:05 të së premtes.

“Me gjithë frenimin emergjent të drejtuesit të mjetit, i cili është nisur menjëherë, treni i goditi dy personat”, shkruan gazeta.

Tutje, thuhet se edhe pse ekipet e shpëtimit kanë arritur shumë shpejt në vendngjarje, çdo ndihmë për ta ishte shumë vonë.

/Telegrafi/

Read Previous

Parashikimi i motit për sot, këto janë temperaturat

Read Next

Ndryshimi që mund ta bëjë Deschamps për finalen e madhe: Giroud në stol, Thuram nga minuta e parë