Senatorja demokrate amerikane Jeanne Shaheen, kryetare në detyrë e Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ka theksuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe të vazhdimit të partneritetit të Shteteve të Bashkuara me rajonin.
Gjatë një ngjarjeje të organizuar nga Këshilli Atlantik në Tiranë, Shaheen foli për përpjekjet për forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, promovimin e stabilitetit dhe zhvillimin ekonomik në rajon.
Ajo paralajmëroi për kërcënimet në rritje ndaj avancimit të demokracisë në Ballkanin Perëndimor, duke vënë në pah edhe rolin e rëndësishëm që do të ketë brezi i ardhshëm i liderëve në të ardhmen e rajonit.
Gjatë fjalës së saj, senatorja amerikane theksoi se zhvillimet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë ndikojnë drejtpërdrejt edhe në stabilitetin e Shqipërisë.
“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet te kufiri. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi këtu. Nëse stabiliteti është objektivi ynë, politika amerikane duhet të përforcojë institucionet dhe marrëveshjet që kanë ndihmuar në ruajtjen e tij”.
Në fund të fjalës së saj, Shaheen u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të angazhohen aktivisht në jetën publike, të kërkojnë llogari nga udhëheqësit dhe të kontribuojnë në ndërtimin e së ardhmes së vendit.
“Prandaj, qëndroni të angazhuar. Kërkoni institucione që punojnë në shërbimin tuaj. Krijoni biznese, kandidoni për poste publike, kërkoni llogari nga udhëheqësit tuaj dhe ndërtoni Shqipërinë në të cilën dëshironi të jetoni”.