Anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i është ngritur aktakuzë nga Prokuroria e Prishtinës për veprën penale të sulmit.
Kurteshi është kontaktuar nga KALLXO.com për të marr një qëndrim lidhur me këtë akuzë, por nuk ka komentuar.
Kurteshi në mbledhjen e mbajtur më 23 gusht 2021, kishte kërkuar nga anëtarët e KQZ-së të vendosin maskën si masë mbrojtëse anti-COVID ose të dilnin jashtë.
Ndërsa më 25 gusht, policia kishte hapur rast ndaj Kurteshit.
“Policia ka pranuar informatën rreth orës 12:00 dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë që në fazë preliminare janë trajtuar rrethanat e ngjarjes dhe me rekomandimin e Prokurorit të Shtetit është iniciuar një hetim për rastin sulm”, thuhet në përgjigje.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka reaguar ndaj deklaratave se është dyshuar se më 25 gusht e ka sulmuar fizikisht një nëpunës civil të KQZ-së shkaku i mos vendosjes së maskës anti-COVID.
Kurteshi kishte kërkuar nga kryeshefi që ta dërgoj procesverbalin në prokurori për rastin.
Ai, të pranishmëve në sallën e mbledhjes së KQZ-së iu kishte kërkuar që të vendosin maskën.
“I lus personat që e kanë inskenu rastin në media duke gënjyer, e shkuar në polici me dhënë deklarata për mënyrën qysh i kanë keqinformu mediat për rastin e maskave. Ditën kur ka ngjarë ajo kanë qenë 2 mijë e 541 infektime. Unë e kam bo një kërkesë të ligjshme mos me pas njerëz pa maska në institucion”, kishte thënë Kurteshi.
Ai gjithashtu kishte kërkuar nga përgjegjësit që ti dërgojnë kamerat e korridorit në prokurori.
“Kjo është kërkesë e imja e ligjshme”, kishte përfunduar ai.
/Kallxo.com/