Diabeti është një sëmundje kronike e shkaktuar nga nivelet e larta të glukozës në gjak. Lodhja apo plogështia, humbja e peshës, etja, pamja e trubullt janë disa nga simptomat që shfaqen si pasojë e kësaj sëmundje. Dihet se gjatë këtyre ditëve në gjithë vendin shënohet java sensibilizuese për diabetin , ndërsa me 14 Nëntor është dita botërore e diabetit, ku të gjitha komunitetet mjekësore dhe shoqatat e diabetit bashkohen në një zë të fuqishëm për të parandaluar këtë sëmundje e cila cilësohet si pandemi globale. Endokrinologu në Qendrën Kombëtare të Mjeksisë së punës në Gjakovë Dr.Luan Gola tha se sipas statistikave të fundit në Kosovë janë diku rreth 80 mijë diabetik, ndërsa pacientët që trajtohen me insulina e kalojnë shifrën prej 16 mijë.
Gola tha se mbrojtja më e mirë ndaj kësaj sëmundje është kujdesi në ushqim i cili është primar duke u bazuar në dieta në bazë të peshës trupore, aktivitetet fizike si dhe marrja e terapisë mjeksore me rregull.
Ndër të tjera endokrinologu Gola apeloi tek të gjithë qytetarët në përgjithësi, por në veçanti për personat e prekur me diabet, që të respektojnë në përpikmëri masat mbrojtëse ndaj Covid 19.